
Besart Kadia, ekspert ekonomie, deklaroi në një lidhje me studion e “A2 Businnes Week”, se qeveria me paketën e saj ekonomike “po mendon vetëm për një pakicë sociale” dhe kjo paketë “nuk zgjidh problemin kryesor të ekonomisë”.
“Duhet një paketë për të gjithë ekonominë, që nuk bën dallime biznes i vogël apo i madh. Argumenti i qeverisë për të ndihmuar vetëm qytetarët me pagë minimale është gjysmak. Kur të zgjohemi pas karantinës, shumë biznese do të jenë të mbyllura dhe kjo do të ndikojë në rritjen e papunësisë”, theksoi Kadia.
“Qeveria po mendon sikur kjo gjë është e përkohshme. Qasja e qeverisë është qasje gjysmake sociale dhe jo paketë për shpëtimin e ekonomisë. Duhet ndihmuar edhe biznesi i madh. Nuk mund të thuash që jemi në kohë lufte, por vazhdoni paguani taksat dhe punonjësit njësoj”, shtoi Kadia. (A2 Televizion)