
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka shpjeguar në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2 masat që ka marrë BSH-ja për të përballuar situatën që ka krijuar koronavirusi.
“Për momentin, gjendja e sistemit bankar vijon të jetë e qëndrueshme, ka likuiditet. Të gjitha bankat qendrore që janë prekur nga kjo situatë, kanë marrë të njëjtat masa. Masa numër 1 ka qenë ulja e normës së interesit, me përjashtim të BQE, që e kishte ulur më parë dhe ishte në minimum. Ulja e normës së interesit shërben për të ulur koston e huamarrjes. Aplikohet për të nxitur kreditimin dhe konsumin. Kjo do të ndihmojë publikun për të pasur një kosto sa më të ulët të kredisë. Ky është instrumenti bazë i bankave qendrore. Përtej kësaj, kemi marrë edhe masa të tjera që mund t’i përdorim nëse situata do të përkeqësohet”, shpjegoi Sejko.
Kur u pyet mbi efektet që do të ketë në ekonomi koronavirusi, Sejko theksoi se gjithçka lidhet me kohëzgjatjen e pandemisë.
“Është një krizë që është parë para 100 vitesh, në kohën e gripit spanjoll. Në këtë situatë, të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare po bëjnë analizat dhe prognozat e tyre. Çdo prognozë është e paqartë pasi situata ndryshon çdo ditë dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë pandemia. E gjithë bota ka parashikuar recesion, eurozona është prekur shumë dhe kjo do të sjellë goditje edhe në ekonominë shqiptare. Gjithçka do të varet nga kohëzgjatja. Sa më e gjatë të jetë koha, aq më i madh dëmi financiar. Shpresojmë që vera të na kthejë në një situatë që mund të nisim rimëkëmbjen”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë. (A2 Televizion)