Nuk ndalen episodet e racizmit në stadiumet italiane. Kësaj radhe është Mario Balotelli, gjatë ndeshjes Hellas Verona- Brescia në Serie A.
Sulmuesi italian i lindur në Palermo por me origjinë ganeze ka qenë shpesh herë protagonist episodesh të tilla por protesta e tij e sotme ka qenë vërtetë e fortë. Në minutën 54 sulmuesi gjendej pothuajse në linjën fundore, shumë afër tifozerisë së Veronës, dhe dëgjoi qartësisht koret raciste ndaj tij.
Ish-lojtari i Inter, Milan dhe Manchester City reagoi duke gjuajtur topin drejt tyre, dhe duke tentuar të braktisë fushë, i ndalur nga shokët e tij të ekipit, por edhe nga kundërshtarët që kuptuan momentin e tij të vështirë.

Ndeshja u bllokua për 4 minuta, Verona fitoi 2-1 por mendohet se Gjykata Sportive italiane do të marrë vendime të rënda ndaj tifozerisë veroneze, që shquhet për qasjen e saj të ekstremit të djathtë.
Në minutën e 85-të Balotelli do të shënonte edhe golin e vetëm të ekipit të tij, me një gjuajtje fantastike në trekëndësh, por sulmuesi nuk ishte në humorin e duhur për të festuar asgjë. (A2 Televizion)