Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, për të përkujtuar viktimat e shembjes fatale të strehës prej betoni në stacionin hekurudhor, duke shënuar një vit nga tragjedia që ndezi protestat më të mëdha në dekada.
Lule dhe qirinj u vendosën përgjatë gardhit të përkohshëm pranë hyrjes së dëmtuar të stacionit, ndërsa 16 minuta heshtje u mbajtën në nderim të 16 viktimave në ceremoninë që nisi në 11:52 të paradites, kur edhe ndodhi tragjedia, shkruan A2.
Serbia është përballur me protesta të rregullta të udhëhequra nga studentët. Fillimisht, protestuesit kërkuan hetim transparent, por më pas thirrjet e tyre u zgjeruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme. Studentë dhe qytetarë të tjerë kanë mbërritur në Novi Sad që nga e premtja, me makina, biçikleta apo në këmbë. Mijëra njerëz të tjerë marshuan drejt Novi Sadit nga Beogradi, rreth 100 kilometra, dhe nga Novi Pazari, rreth 340 kilometra në jug të kryeqytetit.
U deshën simbolikisht 16 ditë në nderim të 16 viktimave që ta përfundonin marshimin. Të premten mbrëma, banorët e Novi Sad dolën në rrugë për t’i pritur marshuesit, duke fishkëllyer dhe valëvitur flamuj.
Vuçiç shpesh i ka quajtur demonstruesit “puçistë të financuar nga jashtë”, ndërsa anëtarë të partisë së tij SNS kanë përhapur teori konspirative, duke pretenduar se shembja e çatisë mund të ketë qenë sulm i orkestruar.
Por, në një fjalim televiziv të premten, Vuçiç bëri një gjest të rrallë dhe kërkoi falje për deklaratat, duke thënë se pendohet për disa nga to. Qeveria ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare, ndërsa kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, mbajti meshë për viktimat në Kishën e Shën Savës në Beograd. (A2 Televizion)
