Politikanët dhe aktivistët që u rreshtuan përkrah tifozëve në protestën antiturke në Podgoricë

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 17:37 | Ballkani

Politikanët dhe aktivistët që u rreshtuan përkrah

Pesë aktivistë dhe politikanë të njohur për publikun morën pjesë në një tubim kundër migrantëve para ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi, në qendër të Podgoricës, më 28 tetor.

“Përzini turqit”, “Kush nuk kërcen është turk”, “Nuk duam migrantë”, “Turku nuk do të ecë nëpër qytet”, këto ishin disa nga brohoritjet që u dëgjuan gjatë protestës.

Pjesëmarrësit ishin kryesisht të veshur me rroba të errëta, me maska dhe kapele, përcjell A2.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL), përmes xhirimeve të publikuara, i ka identifikuar Goran Milliqin dhe Zoran Ushqumliqin, funksionarë të partisë Demokracia e Re Serbe (DRS), e cila drejtohet nga kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.

Deri tani, partia e Mandiqit nuk është distancuar apo prononcuar për pjesëmarrjen e anëtarëve të saj në këtë tubim të kontestuar.

Në protestë ishte edhe Millivoje Bërkoviq nga partia konservatore Mali i Zi i Bashkuar, e cila përkrah Bashkimin serbo-malazez.

Nga aktivistët, REL-i e ka identifikuar Predrag Llazareviqin, një nga themeluesit e organizatës joqeveritare Ushtria Mbretërore Serbe në Atdhe, si dhe kandidatin për deputet në zgjedhjet e vitit 2023 në listën e Lëvizjes Popullore Drejtësi për të Gjithë, avokatin Miomir Joksimoviq.

REL-i i ka identifikuar ata përmes analizës së pamjeve nga vendi i ngjarjes, pamjeve të mediave të tjera dhe postimeve në rrjetet sociale.

Në protestë morën pjesë edhe anëtarë të grupit të tifozëve “Varvari”, të lidhur me klubin sportiv Buduçnost nga Podgorica.

Si erdhi deri këtu?

Protestat i nxiti një përleshje në të cilën një 25-vjeçar nga Podgorica u lëndua lehtë nga shtetas të Turqisë dhe Azerbajxhanit, të cilët më pas u arrestuan, sipas prokurorisë.

Pas incidentit shpërthyen protesta gjatë të cilave, tri net me radhë, grupe të rinjsh kërkuan linçimin dhe dëbimin e shtetasve turq.

Në natën e parë, protestat u mbajtën në lagjen ku ndodhi përleshja, në natën e dytë në lagje ku jetojnë shtetas turq, dhe në të tretën para ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi.

Tubimi, i shoqëruar me fishekzjarrë, flakadanë dhe mesazhe nxitëse, ishte vazhdim i një sërë incidentesh ndaj shtetasve turq: nga shkatërrimi i lokaleve në disa qytete të Malit të Zi, deri te djegia e makinave dhe sulmet fizike.

Në fotografitë që grupi “Varvari” publikoi në Facebook, shihen grupe të rinjsh me kapela dhe maska me fytyra të turbullta.

Çfarë mesazhi dërguan politikanët?

Në pamjet filmike janë identifikuar dy funksionarët e DRS-së, Goran Milliq dhe Zoran Ushqumliq.

Lideri i partisë, Andrija Mandiq, është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, kundërshtar i sanksioneve ndaj Rusisë, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit në NATO.

Në profilin e tij publik në Facebook, Zoran Ushqumliq shpesh ndan fotografi nga aktivitetet partiake, përfshirë me Mandiqin dhe deputeten Jellena Bozhoviq.

Ai ka ndarë gjithashtu fotografi me Vladisllav Dajkoviqin, kryetarin e partisë proruse Liria, i cili në komunën e Podgoricës mban post drejtues.

Dajkoviq më 4 prill 2019 mori pjesë në djegien e flamurit të NATO-s në sheshin qendror të Podgoricës.

Në një bisedë për REL-in, Ushqumliq tha se në protestë kishin dalë “si miq, fqinj, shokë”.

I pyetur për qëndrimin e partisë ndaj pjesëmarrjes së tij, ai tha se partia nuk ka lidhje me këtë.

“Kjo nuk është asgjë politike, asgjë partiake, asgjë që ka të bëjë me kryetarin [Andrija Mandiq]. Dolëm si qytetarë, patriotë; nuk i japim fëmijët tanë, gratë tona, nuk lejojmë që Mali i Zi të përmbytet nga migrantët, as nga turqit, as nga të tjerët”, tha Ushqumliq për REL-in.

I pyetur nëse e di që nxitja e urrejtjes kombëtare, fetare apo racore është vepër penale, ai u përgjigj: “Nuk e di, kjo nuk na përket neve. Ne nuk kemi fyer askënd”.

Në profilin e tij shihen postime që lavdërojnë Vladimir Putinin, Sergej Lavrovin, ushtrinë ruse dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai ka shpërndarë gjithashtu video nga protestat proqeveritare në Serbi, të organizuara nga Partia Përparimtare Serbe dhe fjalimet e Aleksandar Vuçiqit.

REL-i nuk ka arritur ta kontaktojë këshilltarin e Podgoricës nga DRS-ja, Goran Miliq.

Bashkimi serbo-malazez në protestë

Milivoje Bërkoviq, i cili mori pjesë në protestë, i quajti parullat kundër migrantëve “thirrje tifozësh”.

Ai është këshilltar komunal në Podgoricë nga partia Mali i Zi i Bashkuar, që promovon bashkimin e vendit me Serbinë.

“Grupet e tifozëve në Mal të Zi nuk duhen marrë shumë seriozisht, ata kanë një kod tjetër, mendoj se nuk janë keqdashës, është thjesht pasion. Por, mendoj se institucionet tona duhet të merren më shumë me politikën e emigracionit”, tha Bërkoviq për REL-in.

Në protestë, ai u shfaq me një bluzë të organizatës “Srpska nit” (Fija Serbe), themelues i së cilës është vetë ai.

Në faqen zyrtare të organizatës thuhet se “Srpska nit” ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, shpirtëror dhe kulturor serb.

Anëtarët e saj në publikime zyrtare mbajnë shenja “1389”, që lidhen me betejën e Kosovës dhe që shpesh shoqërohen me organizata ekstremiste të djathta në Serbi.

Shoqatat që përshëndesin parullën “Përzini turqit”

Në një deklaratë për REL-in, pjesëmarrësi Predrag Llazareviq, një nga themeluesit e Ushtrisë Mbretërore Serbe në Atdhe, tha se “nuk është e vërtetë” që këto tubime përhapin urrejtje.

Ai tha se është kundër hyrjes së të huajve pa kontroll dhe përdori termin “importim” për migrantët që hyjnë në Mal të Zi.

“Kërkohet që ata me të kaluar kriminale të kontrollohen në kufi dhe t’u ndalohet hyrja”, tha Llazareviq.

Nga protesta e 28 tetorit ai ndau video ku grupe njerëzish rreth tij përshëndesnin tifozët “Varvari” dhe brohorisnin “Përzini turqit”.

Shoqata Ushtria Mbretërore Serbe në Atdhe u regjistrua në prill të këtij viti në Budvë. Në tetor të vitit të kaluar, anëtarë të saj u shfaqën para Manastirit të Cetinjes me uniforma dhe simbole çetnike.

Kjo ushtri çetnike, nën drejtimin e Drazha Mihajloviqit, ishte dënuar për krime lufte pas Luftës së Dytë Botërore, dhe Mihajloviqi u ekzekutua nga autoritetet e atëhershme.

Në profilin e tij në Facebook, Llazareviq shpërndan video të Putinit, simbole çetnike dhe dezinformata të shumta për luftërat në ish-Jugosllavi.

Ku është kufiri mes urrejtjes kombëtare, racore e fetare?

Miomir Joksimoviq, kandidat për deputet në zgjedhjet e 2023 dhe avokat, ka bërë thirrje publike për protesta, ndërsa deklaratat e tij për migrantët janë bërë virale në rrjetet sociale.

Pas protestave të para më 26 tetor në Podgoricë, ku u dëgjuan thirrjet “Vrite turkun”, ai ofroi ndihmë ligjore falas për ata që do të arrestoheshin.

Një ditë më pas policia njoftoi se kishte ndaluar disa persona për planifikim të mundshëm të sulmeve ndaj të huajve.

I pyetur se, si jurist, si e sheh gjuhën ksenofobike në protestë, Joksimoviq tha se “Qeveria për një kohë të gjatë nuk i ka dëgjuar qëndrimet e moderuara, ndaj tani tifozët i shprehën ato në mënyrë ekstreme”.

“Është e qartë se në tubime janë dëgjuar deklarata ekstreme si ‘Përzini turqit’”, tha ai.

Ai e pranoi se “u dhanë mesazhe të ashpra, të papërshtatshme, jo të dëshirueshme, por të pamundura për t’u kontrolluar në ato rrethana”.

“A janë të mira? Jo, pajtohem që jo, dhe bëj thirrje që çdo revoltë qytetare të shprehet brenda ligjit, pa dhunë dhe pa dëmtim të trupit apo pasurisë së të tjerëve”, përfundoi Joksimoviq./ REL  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos