Arrestohet në Turqi i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares në Maqedoninë e Veriut

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2023, 07:09 | Ballkani

Arrestohet në Turqi i dyshuari kryesor për vrasjen e

Ljupço Palevski – Palço, i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, është arrestuar në Turqi. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në një konferencë për median mbrëmjen e djeshme.

“Kemi marrë një njoftim nga kolegë nga Turqia mike se planifikuesi, krijuesi, autori kryesor i vrasjes është kapur dhe privuar nga liria në territorin e tyre. Kjo ishte hallka e fundit nga ky akt i urryer për të thënë se kemi përfunduar gjithçka që është në kompetencën tonë”, tha Spasovski.

Palevski, për të cilin kishte një fletarrest ndërkombëtar, u kap në qytetin turk Balikesir dhe procedura për përcaktimin e paraburgimit për ekstradimin e tij, ka filluar. Ai u dërgua me makinë në Serbi dhe prej andej përmes Bullgarisë në Turqi.

Mbrëmjen e djeshme është arrestuar edhe një 46-vjeçar nga Shkupi, i cili sipas prokurorisë e ka transportuar Palevskin përmes Bullgarisë për në Turqi, duke e ndihmuar kështu të arratiset nga vendi.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal kundër pesë personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast. Deri më tani nuk ka asnjë kallëzim penal ndaj babait të Vanjës, i cili ndodhet në paraburgim 48 orësh.

Vanja Gjorçevska ishte shpallur e zhdukur më 27 nëntor 2023 dhe sipas MPB-së, në kërkim të saj ishin përfshirë njëqind policë, janë shqyrtuar regjistrimet nga rreth 50 kamera dhe janë bërë një numër i madh i intervistave informative. Ajo u rrëmbye dhe u vra me qëllim të zhvatjes së parave, siç thanë më 4 dhjetor në konferencën për media, ministri Oliver Spasovski dhe prokurori publik Gavril Bubevski. Trupi i saj u gjet më 3 dhjetor, në afërsi të fshatit Brazda të Shkupit.

Zhdukja e saj është denoncuar nga nëna e saj dhe në kërkim ishin bashkuar institucionet kompetente dhe një numër i madh qytetarësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos