Ende pa u zbardhur në detaje vrasja e Liridona Ademajt në Kosovë, një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut fqinje.
Mediat në vend raportuan të dielën për gjetjen e trupit të pajetë të një 14-vjeçareje. Vanja Gjorçevska nga Shkupi, ishte e shpallur e humbur prej familjarëve që më 27 nëntor, kur kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë dhe nuk u kthye më.
Policia dhe prokuroria e RMV-së njoftuan të hënën arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen e adoleshentes dhe një 74-vjeçari nga qyteti i Velesit.
Lidhur me këto raste janë të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve, që besohet të jetë edhe autori i krimit, është arratisur nga Maqedonia e Veriut.
Trupi i pajetë i 14-vjeçares u gjet të dielën në Shkup, ndërsa ai 74-vjeçarit është gjetur në Veleshtë. Ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen, është fakti se edhe babi i adoleshentes dyshohet të ketë qenë i përfshirë.
“Lidhur me të dyja rastet janë të dyshuar pesë persona dhe për tre prej tyre është caktuar masa e paraburgimit, njëri ndodhet në arrati jashtë shtetit. Ndërsa, personi i pestë, babai i vajzës së mitur, është arrestuar, është marrë në pyetje dhe po ndërmerren masa të tjera nga ana e Prokurorisë Publike… Organizatori kryesor dhe autori i aktit, pasi vrau vajzën me pistoletë, është arratisur”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski u zotua se policia do të bëjë gjithçka të mundur për nxjerrjen para drejtësisë, autorin kryesor të krimit.
Fjala është për personin me inicialet L.P nga Shkupi, i njohur në opinion si drejtues i lëvizjes “E treta”.
“Do të bëjmë gjithçka që ky person apo kjo monstër sapo të shkelë në tokën tonë, të vihet para drejtësisë”, shtoi Spasovski.
Ministri shpjegoi se motivi i vrasjes ka qenë përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë dhe se në këtë rast. Babai i vajzës ka informuar anëtarët e tjerë për kohën kur ka dalë vajza nga shtëpia dhe lëvizjen e saj drejt shkollës.
Sipas policisë, viktima tjetër nga Veleshta nuk kishte lidhje me vajzën, por kishte hesape të pambyllura me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal. (A2 Televizion)