Presioni amerikan duket se ka detyruar liderin e Republikës Serbska në Bosnjë-Hercegovinë, të bëjë një hap prapa sa i përket politikave ndarëse.
Mes trysnisë në rritje nga Shtetet e Bashkuara, udhëheqësi pro rus Milorad Dodik, tha se nuk ka në plan të kërkojë shkëputjen nga Bosnjë-Hercegovina. Në vitin 2021, ai nxiti krizën më serioze politike të postluftës duke paralajmëruar tërheqje nga institucionet e tilla si gjyqësori, sistemi i taksave dhe forcat e armatosura. Por Dodik nuk e përsëriti një kërcënim të tillë, duke thënë se do të priste për një moment më të përshtatshëm gjeopolitik për të përmbushur ambicien. Sipas tij, nevojitej më shumë dialog mes grupeve etnike për të siguruar autonomi më të madhe për entitetin serb.
“Nuk po kërkojmë revolucion. Nuk po përgatitemi për luftë. Po përgatitemi për vendime politike në nivelin e parlamentit shtetërore dhe në nivelin e parlamentit të Republikës Serbska. Në fazën e parë, ne duhet të sigurojmë dialog midis partive politike në Bosnjë, pa pjesëmarrjen e të huajve, në mënyrë që të sigurojmë një marrëveshje të qëndrueshme. Përndryshe Bosnja nuk ka të ardhme”, tha Dodik.
Deklarata e Dodik vjen teksa dy avionë amerikanë fluturuan mbi Bosnjë të hënën në një shfaqje të mbështetjes për tërësinë territorial të vendit ballkanik përballë politikave përçarëse të udhëheqësit pro rus.
Avionët F-16 fluturuan si pjesë e stërvitjes së përbashkët me forcat boshnjake. Fluturimet u kryen në rajonet e qytetit lindor të Tuzlës dhe në veri të Bërçkos, sipas një deklarate nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë. Zhvillimet vijnë ndërsa Republika Sërpska, shënon një festë antikushtetuese më 9 janar, kur serbët e Bosnjës kujtojnë ditën kur shpallën shtetin e tyre të ndarë në 1992-shin, duke nxitur një luftë etnike që u kushtoi jetën mbi 100 mijë personave. (A2 Televizion)