
Danezi Peter Due është përfaqësuesi special dhe kryesuesi i misionit të UNMIK në Kosovë.
Emërimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shkruan A2.
Ky zhvillim vjen pas zërit të fuqishëm që ngriti përfaqësuesi amerikan në OKB lidhur me përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, pasi në Kosovë nuk ka një krizë sigurie dhe ka institucione funksionale.
Edhe Britania e Madhe e mbështeti këtë qëndrim, por që u kundërshtua nga aleatët e Beogradit, si Rusia dhe Kina.
“Zoti Due ka shërbyer si drejtues i zyrës së OKB në Beograd dhe ka qenë oficer për çështjet politike i UNMIK në Prishtinë”, lexohet në njoftimin zyrtar të Kombeve të Bashkuara.
OKB vlerëson gjithashtu kontributin e Caroline Ziadeh në drejtimin e misionit në Kosovë, duke vënë theksin tek angazhimi i saj i përkushtuar për të çuar më tej paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. (A2 Televizion)
