
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes projektbuxhetin e vitit 2026 për institucionin që ai drejton, duke e cilësuar atë si financimin më të madh që qeveria ka adresuar ndonjëherë për zhvillimin lokal.
Sipas Demos, buxheti vendor për vitin 2026 kap vlerën 97.7 miliardë lekë, ose 1 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me një vit më parë. Ky fond synon të forcojë autonominë vendore, transparencën financiare dhe cilësinë e shërbimeve publike në çdo bashki të vendit.
Të ardhurat nga taksat vendore parashikohen të arrijnë në 44 miliardë lekë, me një rritje prej 8%, çka tregon rritjen e kapaciteteve financiare të bashkive dhe përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave. Ndërkohë, transferta e pakushtëzuar arrin në 27.8 miliardë lekë.
Për herë të parë, në vitin 2026 do të zbatohet granti i performancës, në vlerën 200 milionë lekë, që do të shpërblejë bashkitë me menaxhim të mirë financiar dhe plane zhvillimore efikase. Një tjetër arritje e rëndësishme është ulja me mbi 70% e detyrimeve të prapambetura që prej vitit 2016, si dëshmi e disiplinës më të fortë fiskale në nivel vendor.
Demo theksoi se buxheti vendor i vitit 2026 synon ta kthejë pushtetin vendor në motor të zhvillimit ekonomik lokal, përmes planeve më të qëndrueshme, menaxhimit të përgjegjshëm dhe forcimit të partneritetit me komunitetet.
“Ky buxhet përfaqëson besimin e Qeverisë në pushtetin vendor si shtylla kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm dhe demokratik të vendit,” u shpreh ministri Demo, shkruan A2 CNN.
Demo shtoi se “për vitin 2026, është parashikuar gjithashtu një fond shtesë prej 4,5 miliardë lekësh për pagat e punonjësve vendorë dhe 200 milionë lekë për grante performance”, tha ai.
Demo theksoi se, buxheti synon gjithashtu rishikimin e reformës administrativo-territoriale dhe integrimin e teknologjive digjitale, për të krijuar një administratë vendore më efikase dhe më afër qytetarëve.
“Projektbuxheti 2026 është një hap konkret drejt zhvillimit të qëndrueshëm lokal dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët, duke forcuar institucionet vendore dhe përmirësuar menaxhimin e financave publike”, u shpreh Demo. (A2 Televizion)
