Avokati i Popullit ngre alarmin në Maqedoninë e Veriut: Fëmijë nën moshën 6 vjeç përdorin drogë

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 17:12 | Ballkani

Avokati i Popullit ngre alarmin në Maqedoninë e Veriut:

Përdoruesi më i ri i drogës në Maqedoninë e Veriut është nën moshën 6 vjeçare. Të dhënat shqetësuese janë publikuar nga zyra e Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut pas analizave të kryera.

Nga të dhënat e policisë për vitin 2023 dhe gjysmën e parë të 2024-ës, janë evidentuar rreth 130 fëmijë përdorues droge, kryesisht marijuanë dhe amfetaminë, shkruan A2 CNN.

“Sipas të dhënave që i kemi marrë nga të 8 sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme pa diskutim kanë evidentuar fëmijë përdorues të drogës. Në vititn 2023 ishin 85 gjithsej dhe në qershor të 2024-ës ishin 45 raste të reja, pra 130 fëmijë përdorues të drogës janë evidentuar në sektorët për punë të brendshme. Lloji më i shpeshtë i drogës që e përdorin janë marijuana dhe amfetamina, ndërsa më pak ekstaza dhe heroinë. Shqetëson e dhëna se ka pasur fëmijë nën moshën 6 vjeçare”, tha zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa, përcjell A2 CNN.

Sipas Avokatit të Popullit, pjesa më e madhe e fëmijëve janë të përkatësisë etnike maqedonase dhe shqiptare, ndërsa në numër më të vogël të përkatësisë etnike rome, turke dhe serbe.

Ajo thekson se institucionet maqedonase nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për parandalim, trajtim dhe rehabilitim të këtyre fëmijëve, pasi mungojnë struktura të specializuara dhe bashkëpunimi ndërinstitucional është i dobët.

Në këto kushte Avokati i Popullit kërkon krijimin e një programi kombëtar për trajtim dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për të adresuar këtë problem në rritje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos