"Fabrikat tona duhet të punojnë", Vuçiç i kthehet ashpër Putinit: Po gënjeni për eksportin e armëve

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 10:31 | Ballkani

Akuzat e Moskës ndaj Serbisë për shitjen e armëve drejt Ukrainës, kanë sjellë reagimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Menjëherë pas publikimit të raportit të inteligjencës ruse, kreu i shtetit serb nxitoi të justifikohej duke theksuar se do të ngrejë një grup punë për këtë çështje. 

"Ne kemi formuar një grup pune me partnerët rusë për të përcaktuar faktet. Disa nga gjërat e deklaruara në deklaratë nuk ishin të vërteta, siç është ajo në lidhje me kontratën e Republikës Çeke, për të cilën, nuk u dhanë leje dhe asnjë nga raketat nuk u dorëzua. Nuk janë dhënë leje për 44,000 raketa me rreze të gjatë veprimi dhe 24,000 raketa me rreze të shkurtër veprimi. Flitet se eksportet e armëve nga Serbia në Ukrainë po kalojnë përmes një vendi afrikan por Serbia nuk eksporton më armë, vetëm municione. Por, ka edhe një gjë tjetër, fabrikat tona duhet të jetojnë dhe të punojnë. Ne punësojmë rreth 24,000 njerëz në industrinë e mbrojtjes që varen nga ajo industri. Tani po i drejtojmë armët për të furnizuar ushtrinë tone”, tha ai.

Vuçiç kritikoi perëndimin pasi shpesh herë është sulmuar nga diplomatët në lidhje me afrimin e Serbisë me Putin dhe sidomos pas vizitës së këtij të fundit në paradën e 9 majit në Sheshin e kuq. 

“Javën e kaluar, u sulmova nga dy ambasadorë, të cilët thanë se ne eksportuam municione në Federatën Ruse përmes një kompanie turke dhe se municionet serbe u shfaqën në front nga pala ruse. Më është dashur të shpjegoj se nuk e di vërtet se çfarë ishte kontrata, as nuk është e mundur që unë të di gjithçka, por e dini, fabrikat tona duhet të jetojnë dhe të punojnë”, tha Vuçiç.

Vuçiç gjeti kohën të sulmonte Kosovën dhe autoritetet atje duke krijuar idenë se në veri po ndodh një shpopullim i komunitetit serb. 

“Ata shpresojnë që shumica e popullit serb do të dëbohet nga veriu i Kosovës. Për një pjesë më të vogël në Perëndim dhe Lindje, ajo që po bën Kurti janë trazira. Ne duhet t’i kundërvihemi përpjekjeve të shqiptarëve për të fituar sa më shumë njohje me ndihmën e disa vendeve, veçanërisht të Turqisë, dhe së shpejti do ta informoj publikun për rezultatet e mira dhe të habitshme që një vend i vogël mund të arrijë në këtë luftë”.

Këto tensione mes dy aleatëve vijnë pas vizitës që zhvilloi presidenti serb Aleksandër Vuçiç në Rusi, ku përveç kremtimit të Ditës së Fitores ndaj nazistëve, u takua me homologun Vladimir Putin. Mes temave të trajtuara ishte dhe situata në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos