“Nuk ka dorëzim për Kosovën”. Policia serbe heq barrikadat, rrihen e arrestohen protestuesit

Nga Rosalba Bejdo
30 Qershor 2025, 13:58 | Ballkani

Disa persona u vunë në pranga mëngjesin e 30 qershorit, teksa policia serbe hoqi të gjitha bllokadat e vendosura në rrugët e Beogradit pas protestës së madhe kundër qeverisë, gjatë fundjavës.

Siç bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, policia po heq barrikadat e vendosura edhe në qytete të tjera, të ngritura në dhjetëra lokacione një natë më parë si formë e mosbindjes civile.

Në protestën ku u arrestuan dhjetëra persona, vlerësohet se morën pjesë 140 000 protestues, e sipas Radios Evropa e Lirë, atje u shpalos edhe një flamur me hartën e Kosovës në ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”!

Studentët që po bllokojnë fakultetet në Beograd kanë publikuar video të arrestimeve në rrjetet sociale, duke thënë se “të arrestuarit u rrahën dhe u privuan nga liria”, shkruan A2. Pamje të arrestimeve, ku shihet përdorimi i forcës nga policia, u publikuan nga bllokadat në afërsi të Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit, por edhe në lokacione të tjera në kryeqytetin serb.

Ministria e Brendshme serbe ndërkaq vlerësoi se policia veproi “në mënyrë shumë profesionale” dhe se arrestimet ishin kryer pas sulmeve dhe fyerjeve ndaj efektivëve. Trafiku në Beograd, sipas policisë, është kthyer në “normalitet”.

Vendosja e barrikadave në dhjetëra lokacione në mbarë Serbinë nisi pasditen e 29 qershorit. Protestat po organizohen nga qytetarët, me ftesën e studentëve, të cilët prej shtatë muajsh po bllokojnë dhjetëra fakultete në mbarë Serbinë. Protestuesit kanë paraqitur tri kërkesa për qeverinë serbe. Ata po kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, lirimin e të gjithë të arrestuarve pas protestës së 28 qershorit, si dhe heqjen e kampit të ngritur në qendër të Beogradit, ku për disa muaj po qëndrojnë kundërshtarët e studentëve protestues.

Vuçiç akuzon fuqitë e huaja për nxitje të protestave dhe u zotua se do të mbrojë shtetin nga banditët, që, siç tha, do të përballen me drejtësinë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos