Dialogu me Kosovën, Hill nuk pajtohet me konstatimin se Serbia po shkel marrëveshjet

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2024, 19:45 | Ballkani

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk u pajtua me konstatimin e gazetarëve se Serbia po shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Kosovën. 

Hill, që mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Beograd, tha se procesi i normalizimit të raporteve është më kompleks dhe duhet të ndiqen propozimet e emisarit të Bashkimit Europian që i bëhen palëve.

“Mendoj që është shumë më komplekse dhe çfarë unë di është se duhet të lëvizim drejt normalizimit dhe propozimeve të ndryshme që z. Lajcak ka paraqitur dhe mendoj që ato duhet të ndiqen. Nuk do të pajtohem me formulimin e juaj të situatës [se Serbia po shkel marrëveshjet]. Mendoj që duhet të kuptosh se ky është një proces kompleks që përfshinë detyrime për të dyja palët që duhet sekuencuar”, tha ambasadori amerikan.

Hill paralajmëroi se ka shumë punë në mënyrë që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet, prandaj paralajmëroi se kjo do të kërkojë angazhim edhe të administratës së re të Shteteve të Bashkuara.

“Mendoj që të gjithë janë në favor të mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe është shumë e rëndësishme që të ecet me këto procese përpara dhe të krijohen kushtet për normalizimin e marrëdhënieve por qartazi që ka shumë punë që duhet bërë por kjo është diçka që i takon kësaj administrate dhe administratës tjetër se nuk do të mbyllet menjëherë. Kështu që ka nevojë të bëhet shumë punë në drejtim që të arrihet deri te faza e marrëdhënieve të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës”, shtoi ambasadori.

Hill lavdëroi punën e emisarit Miroslav Lajçak duke thënë se ka bërë disa propozime pozitive për të cilat duhet mbështetur dhe nëse do të ndiqeshin nga palët procesi do të ishte në një fazë më të përparuar.

“Nëse të gjithë mund të ndjekin çfarë z. Lajcak është duke bërë mendoj që do të jemi në një pozitë më të mirë por mendoj që sigurisht kemi humbur disa momentume për disa arsye dhe mendoj që është e rëndësishme për t’u kthyer në rrugën e duhur”, tha Hill.

Ai përmendi edhe nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si detyrime që rrjedhin nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel dhe Ohër.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos