Dinari serb vijon të mbesë në Bruksel. Lajçaku zhvillon “takim të kotë”, Kosova dhe Serbia jo në një tryezë

Nga A2 CNN
18 Prill 2024, 16:36 | Ballkani

Në Bruksel është zhvilluar dhe një tjetër “takim i kotë” për çështjen e dinarit serb, i pesti takim me radhë. Ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak bisedoi veçmas me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviç, për të shqyrtuar zgjidhjen e ofruar nga Bashkimi Europian.

Takim të përbashkët trepalësh nuk pati, por palët përfunduan në akuza të ndërsjella se kush kishte sjellë ose jo propozime konstruktive.

Bislimi tha pas bisedës me Lajçak, se pala serbe nuk pranoi të bisedonte propozimin fillestar të Brukselit.

Rrjedhimisht ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serb të trajtohen”, tha kryenegociatori i Kosovës.

Lidhur me bllokimin e shtetasve kosovarë në kufij nga ana e Serbisë, Bilsimi konfirmoi se situata e krijuar ditën e djeshme ishte një rrethanë rënduese për procesin e dialogut.

Unë mendoj që për procesin është rrethanë rënduese, ndërsa për Serbinë ka qenë ndoshta rrethanë lehtësuese ku ata e kanë pas edhe një vendim ku e kanë shpreh mllefin e tyre me faktin që shumica e vendeve evropiane shikojnë nga e ardhmja e jo nga e kaluara”, theksoi zv/kryeministri i Kosovës.

Nga ana tjetër, Petkoviç, pretendoi se Kosova erdhi pa një propozim për zgjidhjen e çështjes së dinarit.

Palët do të udhëtojnë për në Bruksel sërish javën tjetër, për të tentuar një marrëveshje për transferimin e parave nga Beogradi në adresë të serbëve të Kosovës.

Bilsimi u pyet nga gazetarët se përse pala kosovare është e gatshme për një tjetër takim, kur ky i sotmi nuk prodhoi rezultate. Bilsmi tha se pritshmëria pozitive vjen pasi “kemi arritur të ndikojmë që takimi i ardhshëm në asnjë mënyrë të mos mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë për të shtyrë edhe më tej vendimmarrjen”.

“Ne kemi insistuar që takimi të organizohet vetëm nëse palët i dërgojnë propozimet e tyre deri në ditën e hënë dhe nëse Lajçak konstaton që propozimet janë në linjë me idetë e tij të distribuara javën e kaluar.”

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos