
Lufta për Kosovën dhe mbrojtja e sovranitetit e integritetit territorial të Serbisë do të jetë sfida më e madhe për Serbinë. Ketë e tha kryeministri i sapozgjedhur Milllosh Vuçeviç, teksa prezantoi prioritetet e qeverisë së re të drejtuar prej tij.
Duke e cilësuar mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit të Serbisë, Vuçeviç u zotua se do të bëjnë gjithçka për të penguar një skenar të tillë.
“Përveç shkeljes së re brutale të së drejtës ndërkombëtare, separatistët do të shpërblehen de fakto për persekutimin dhe shtypjen e popullit serb në Kosovë dhe Metohi me pranimin në Këshillin e Evropës. Qeveria e Serbisë do të detyrohet të reagojë në mënyrë të përshtatshme nëse anëtarësimi i Prishtinës në Këshillin e Europës bëhet i sigurt.”
Vuçeviç akuzoi qeverinë Kurti për dhune sistematike dhe të planifikuar ndaj serbëve në veri, e megjithatë u shpreh i përkushtuar ndaj dialogut dhe paqes, që siç tha do ta ruajnë edhe atje ku është e kërcënuar.
“Beogradi do të mbetet i përkushtuar ndaj dialogut me Prishtinën nëse rezulton se diçka produktive mund të dalë nga ai proces që do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajon.”
Shefi i ri i ekzekutivit serb u zotua se do të mbajë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përmes një politike paqeje. Lidhur me Shqipërinë theksoi se do të përpiqet të ruajë të njëjtin nivel marrëdhëniesh si në kohën e “Ballkanit te Hapur”, dhe se pavarësisht mospajtimeve për statusin e Kosovës dy vendet kanë interesa të përbashkëta.
Vuçeviç, që më herët ishte ministër i Mbrojtjes përmendi integrimin në BE dhe neutralitetin ushtarak si gur themeli të programit të tij, por parashtroi gjithashtu synimet për fuqizim të mbrojtjes dhe armatosjes së Serbisë.
Ai foli për shërbim të detyruar ushtarak 4 mujor, siç tha jo për tu përgatitur për luftë por për të shpëtuar vendin. Theksoi gjithashtu përshpejtim të zhvillimit dhe prodhimit të dronëve që përveç aftësive zbuluese do të kryejnë edhe detyra komplekse luftarake. (A2 Televizion)