"Forca e unitetit"- Vuçiç kërkon forcimin e pozitave, nxjerr ushtrinë në paradë

Nga A2 CNN
21 Shtator 2025, 13:52 | Ballkani

"Forca e unitetit"- Vuçiç kërkon forcimin e

Aleksandar Vuçiç nuk ka humbur kohë për të treguar supermacinë e Serbisë në fushën ushtarake në rajon. Beogradi u bë qendra e paradës ushtarake, ndërsa në vend po vazhdojnë protestat masive antiqeveritare, të nxitura nga vdekja tragjike e 16 personave në një aksident në Novi Sad nëntorin e vitit të kaluar.

Parada u mbajt nën vëzhgimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe në të morën pjesë mijëra ushtarë dhe armatime të ndryshme, duke përfshirë autoblinda, avionë luftarakë MiG-29, bombardues “Shqiponja”, avionë transportues “Supergaleb” dhe stërvitorë “Lasta”. Në fund të paradës, anëtarët e Brigadës së 63-të të Parashutistëve kryen edhe një kërcim me parashutë.

Ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë, zyrtarët serbë mohuan që kjo paradë të ketë pasur motive politike, duke pasur për të sloganin “Forca e Unitetit”. Një grup qytetarësh, të thirrur nga studentët protestues, u mblodhën për të shprehur mbështetje ndaj ushtrisë, por policia nuk i lejoi të afrohen pranë paradës.

Në paradë nuk u panë figura të mëdha politike, por u shfaqën disa të ftuar të njohur, përfshirë presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, anëtarin e familjes mbretërore të Bahreinit, Nasser bin Hamad, aktorin Steven Seagal, dhe ish-presidentin e entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

Në rrugët e Beogradit, ndërsa kalonin mjetet luftarake, qytetarët dhe disa studentë, të rrethuar nga policia, brohorisnin “Ushtria dhe studentët” duke përshëndetur ushtarët. Situata ishte e qetë dhe pa incidente, shkruan A2 CNN.

Parada në Beograd është një mesazh për fqinjët, vlerëson analisti amerikan Kurt Bassuener nga Këshilli për Politika të Demokratizimit me seli në Berlin, i cili e sheh këtë paradë si një sinjal të hapur ndaj vendeve fqinje të Serbisë për arsenalit të saj të ri ushtarak. “Por kjo është gjithashtu – ndoshta edhe para së gjithash – një përpjekje e dukshme për të vendosur kontroll të brendshëm në Serbi, kontroll që gjithnjë e më shumë po i shpëton Vuçiqit nga duart, të paktën në aspektin e opinionit publik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, fakti që, siç thotë ai, Vuçiqit “po i ikën kontrolli” në vend, po ndikon edhe në politikën e jashtme të tij, duke e shtyrë drejt një arbitrazhi gjeopolitik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos