Një grua 38-vjeçare ka humbur jetën në Selanik të Greqisë, pasi një bombë që ajo po mbante me vete shpërtheu në duart e saj. Sipas raportimeve të policisë greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa gruaja dyshohet se po përpiqej të vendoste mjetin shpërthyes pranë një bankomati.
Shpërthimi shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, duke dëmtuar disa vitrina dyqanesh dhe automjete të parkuara në zonë, shkruan A2 CNN. Një zyrtar i lartë i policisë deklaroi për agjencinë Reuters se “duket se ajo po mbante një mjet shpërthyes dhe synonte ta vendoste pranë bankës. Diçka shkoi keq dhe pajisja shpërtheu në duart e saj”.
Sipas agjencisë Associated Press, viktima ishte e njohur për policinë për përfshirjen e saj në grabitje të mëparshme. Autoritetet greke janë duke hetuar mundësinë e lidhjes së saj me grupe ekstremiste të majta, të cilat kanë qenë aktive në të kaluarën me sulme të ngjashme.
Ngjarja ndodh më pak se një muaj pas një tjetër shpërthimi në Athinë, ku një bombë shpërtheu pranë zyrave të kompanisë Hellenic Train. Edhe në atë rast, policia mori telefonata paralajmëruese nga media lokale për një shpërthim të mundshëm brenda 35 minutash, dhe zona u evakuua menjëherë pasi u gjet një çantë e dyshimtë.
Hetimet për rastin në Selanik janë ende në vijim, ndërsa autoritetet janë të përqendruara në identifikimin e kontakteve të viktimës dhe motiveve të saj të mundshme. Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur një perimetër sigurie për të mbledhur provat e nevojshme. (A2 Televizion)