Investigimi, policia greke përdori mercenarë të maskuar për të zmbrapsur emigrantët në kufi me Turqinë

Nga A2 CNN
14 Prill 2026, 08:34 | Ballkani

Investigimi, policia greke përdori mercenarë të maskuar për

Policia në Greqi ka rekrutuar emigrantë të maskuar për të zmbrapsur me dhunë emigrantë të tjerë përtej kufirit të saj tokësor me Turqinë, sipas provave të gjera të zbuluara nga BBC, përcjell A2CNN.  Duke cituar dokumente të brendshme të policisë, tregohet se si rekrutimi i të ashtuquajturve mercenarë urdhërohej dhe mbikëqyrej nga oficerë të lartë.

Sipas gjetjeve, kemi të bëjmë me trajtim brutal të emigrantëve, ku dëshmitarët raportojnë se ata janë zhveshur, grabitur, rrahur dhe madje edhe sulmuar seksualisht. Është pretenduar se mercenarë janë punësuar jozyrtarisht në kufi që të paktën nga viti 2020.

Kryeministri grek i tha BBC-së se nuk ishte “plotësisht në dijeni” të akuzave. Detyrimi i migrantëve dhe azilkërkuesve përtej kufijve pa një proces të rregullt ligjor, konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Më herët pretendimet ishin raportuar nga organizata e lajmeve me seli në Holandë, Lighthouse Reports në vitin 2022.

Një burim policor në rajon tha se mercenarët janë përdorur për të zmbrapsur deri në qindra njerëz në javë.

Nuk ka asnjë ushtar, oficer policie apo oficer të Frontex-it (agjencisë kufitare të BE-së) që shërben këtu në Evros që nuk e di se po ndodhin kthime prapa”, shtuan ata.

Mercenarët kanë qenë kryesisht vetë migrantë, të rekrutuar nga vende si Pakistani, Siria dhe Afganistani, të cilët shpërbleheshin me para në dorë, telefonë të grabitur nga emigrantë të tjerë, si dhe me dokumente që lejonin kalimin nëpër Greqi.

Një roje kufitare tha në një seancë dëgjimore disiplinore se kishin informacion, të raportuar te eprorët e tyre, se mercenarët kishin përdhunuar emigrante femra. Dy emigrantë dhe një ish-mercenar thonë se kanë parë dhunë ekstreme si nga mercenarët ashtu edhe nga policia greke, përfshirë rrahjen e njerëzve derisa kanë humbur ndjenjat. Një emigrante ka rrëfyer se një burrë i maskuar ia hoqi pelenën vajzës së saj në kërkim të sendeve me vlerë.

Greqia ka regjistruar mbi një milion emigrantë të mbërritur që nga viti 2015, kryesisht përmes kalimeve detare, por edhe përgjatë kufirit të saj tokësor me Turqinë. Ky kufi shtrihet 200 km përgjatë lumit Evros. Ai shënon kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian, duke ndarë rajonin Evros të Greqisë dhe territorin turk të Trakisë Lindore.

Refugjatët ose migrantët e paligjshëm që kalojnë lumin për në Greqi hyjnë në një zonë të kufizuar, shumë të militarizuar, të mbushur me kulla vrojtimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos