Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend do të mbahen më 25 tetor, teksa përpiqet të forcojë kontrollin mbi skenën politike pas gati dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët.
Vuçiç nxori një dekret për shpërndarjen e Parlamentit prej 250 anëtarësh, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas tij, ato janë të nevojshme për shkak të tensioneve dhe ndasive të vazhdueshme në vendin ballkanik.
“Shpërndaj Kuvendin Kombëtar të Republikës së Serbisë, të zgjedhur më 17 dhjetor 2023. Thërras zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 25 tetor 2026. Kemi kaluar... tronditje të mëdha. Na duhen rezultate zgjedhore që të tregojnë qartë vullnetin e popullit dhe drejtimin në të cilin po shkon Serbia”, deklaroi Vuçiç, përcjell A2 CNN.
Vuçiç nuk mund të kandidojë më për president, por ka deklaruar synimin për të garuar për postin e kryeministrit. Partia e tij Progresiste e nominoi atë të shtunën, duke i hapur kështu rrugën rikthimit të autoritetit të tij, pasi protestat sfiduan si asnjëherë më parë regjimin e tij.
Vuçiç, i cili e ka drejtuar vendin si president ose kryeministër për 12 vjet, është përballur me protesta kundër korrupsionit, të shkaktuara nga shembja e një strukture betoni në një stacion hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Opozita dhe protestuesit e akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion të përhapur, lidhje me krimin e organizuar dhe pengim të lirisë së medias.
Përpjekjet e Serbisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian kanë ngecur gjatë presidencës së Vuçiçit, i cili ka ruajtur marrëdhënie të ngushta si me Rusinë, ashtu edhe me Kinën.
Vuçiç është përballur gjithashtu me presion të shtuar nga BE-ja gjatë javës së fundit, pas nderimeve publike për kriminelin e luftës Ratko Mlladiç, ish-komandantin e ushtrisë së serbëve të Bosnjës.
(A2 Televizion)