Kongresmeni republikan amerikan, Joe Wilson, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, se e ka kthyer Serbinë në një qendër për rekrutimin dhe trajnimin e personave të përfshirë në aktivitete sabotuese të lidhura me Rusinë.
Wilson iu referua rastit të një personi të dyshuar për një komplot rus në Gjermani, i cili sipas tij kishte udhëtuar nga Lajpcigu drejt Serbisë. “Vuçiç e ka kthyer Serbinë në një qendër për rekrutimin dhe trajnimin për terrorizëm dhe sabotazh rus”, shkroi ai në platformën X.
Kongresmeni amerikan deklaroi se agjentët e presidentit rus, Vladimir Putin, nuk duhet të jenë të mirëpritur në Europë. Wilson, i cili kryeson Komisionin Amerikan të Helsinkit, ka kritikuar vazhdimisht lidhjet e Beogradit me Moskën dhe ka kërkuar që Serbia të orientohet më fuqishëm drejt strukturave euroatlantike. (A2 Televizion)