
Mijëra persona janë mbledhur në Beograd për ceremoninë mortore të Ratko Mladiçit, ish-gjeneralit të serbëve të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë.
Mladiçi, i njohur si “Kasapi i Bosnjës” për rolin e tij në luftën e viteve 1992-1995, vdiq në fund të gushtit, në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin në burg, shkruan a2 CNN. Trupi i tij u transportua drejt Serbisë me një avion qeveritar, i mbuluar me flamuj kombëtarë dhe u mor nga avioni nga ushtarakë me uniformë.

Arkivoli i Mladiçit u vendos në kishën ortodokse serbe të Shën Lukës në Beograd, ku u nderua me ceremoni ushtarake. Mbi të u vendosën kapela e tij ushtarake dhe shpata, ndërsa përpara arkivolit u ekspozuan medalje. Në rrugët pranë kishës u shfaqën flamuj serbë dhe pankarta që e cilësonin atë “hero”.

Ceremonia ka shkaktuar reagime të forta në Bashkimin Europian. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi një vizitë të planifikuar në Serbi dhe deklaroi se glorifikimi i Mladiçit është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga evropiane.
Bashkimi Europian ka paralajmëruar gjithashtu se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi nuk kanë vend në vendet kandidate për anëtarësim.

Mladiçi konsiderohet një nga arkitektët kryesorë të spastrimit etnik gjatë luftës në Bosnje. Konflikti shkaktoi mbi 100 mijë viktima dhe zhvendosi më shumë se 2 milionë njerëz.
Ndër krimet më të rënda lidhet rrethimi 1,460-ditor i Sarajevës, gjatë të cilit më shumë se 10 mijë persona u vranë, si dhe masakra e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë të paktën 8 mijë boshnjakë myslimanë. (A2 Televizion)
