Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, theksoi rëndësinë e momentit aktual për Ballkanin Perëndimor gjatë takimit vjetor të RCC-së të mbajtur sot në Tiranë. Në fjalën e tij para përfaqësuesve të vendeve të rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kapetanović u shpreh se “Rajoni sot ka një dritare të ngushtë, por kuptimplotë, për të siguruar që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë funksionale e Tregut Unik të BE-së”.
Ai theksoi se kjo mundësi kërkon përkushtim, shpejtësi dhe mbi të gjitha rezultate konkrete, duke vënë në dukje se më shumë se 80% e qytetarëve të rajonit mbështesin bashkëpunimin rajonal. “Kjo nuk është vetëm një statistikë, është një thirrje për veprim”, u shpreh Kapetanović, duke theksuar se puna e RCC-së duhet të mbetet e orientuar drejt qytetarëve dhe përfitimeve praktike në fusha si tregtia, lëvizshmëria, transformimi digjital, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor.
Në takimin vjetor, pjesëmarrësit miratuan Strategjinë dhe Programin e ri të Punës të RCC-së për periudhën 2026-2028, si dhe Raportin Vjetor për vitin 2024-2025, ku u evidentuan arritjet në thellimin e integrimit financiar, përparimin në Agjendën e Gjelbër, lëvizshmërinë e kapitalit njerëzor, inovacionin digjital, si edhe uljen deri në 99% të kostove të roaming-ut të të dhënave mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Strategjia e re e RCC-së do të fokusohet në qëndrueshmëri, ndërlidhje dhe përputhje të mëtejshme me prioritetet e BE-së, duke ndihmuar rajonin të ecë drejt një zhvillimi më gjithëpërfshirës dhe rezilient. (A2 Televizion)