Rasti i Vukashinoviç, avokati dorëzon kallëzim penal ndaj Ministrisë së Brendshme serbe, ushtrisë dhe Radoiçiç

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 15:46 | Ballkani

Rasti i Vukashinoviç, avokati dorëzon kallëzim penal ndaj

Avokati Ivan Niniç, në emër të Dragana Vukashinoviçit, nënës së Millan Vukashinoviçit nga Leposaviçi – për të cilin autoritetet kosovare dyshojnë se është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe – ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple të Serbisë për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Kallëzimi penal është dorëzuar kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose Millan Radoiçiçit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Incidenti në fshatin Jellakcë afër Leposaviqit, gjatë të cilit, siç pretendon avokati Niniç, Millan Vukashinoviç u plagos nga persona të maskuar dhe më pas u transportua në spitalin e Prokuples, e më vonë në Qendrën Klinike të Nishit, ka ndodhur më 1 nëntor.

Në kallëzimin penal, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, thuhet se Vukashinoviç kishte një histori të gjatë konfliktesh personale me Millan Radoiçiçin, si dhe se “ka arsye të justifikueshme për të besuar se i dëmtuari është rrëmbyer dhe rrezikohet t’i merret jeta në rrethana të paqarta”.

Më 4 nëntor, avokati Ivan Niniq i tha Radios Evropa e Lirë se përmes kanaleve të tij kishte arritur të siguronte informacione se Millan Vukashinoviç, pas plagosjes, fillimisht ishte transportuar në spitalin e Prokuples. Ai tha se në këtë aksion kishin marrë pjesë tre vetura pa targa, për të cilat më vonë ishte përcaktuar se me shumë gjasë i përkisnin Armatës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë, si dhe një automjet i katërt që kishte targa të regjistruara.

Sipas Niniqit, personat që morën pjesë në aksion ishin të veshur me uniforma maskimi me ngjyrë të zezë dhe jeshile të errët, pa ndonjë shenjë dalluese të Ushtrisë apo të Xhandarmërisë serbe, dhe mbanin maska në kokë.

Ai shtoi se këta persona janë parë edhe nga qytetarët në Prokuple dhe nga punonjësit e spitalit të Prokuples.

Policia e Kosovës u deklarua për këtë rast më 3 nëntor, duke bërë të ditur se kishte marrë në pyetje dëshmitarë okularë, të cilët kishin dhënë informacione se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, kishin plagosur dhe rrëmbyer viktimën, dhe më pas e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.

Institucionet serbe ende nuk janë prononcuar për këtë rast. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë, por nuk ka marrë përgjigje.

Millan Vukashinoviç ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë, duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviç, për televizionin KTV nga Serbia.

Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.

“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai.

Avokati Ivan Niniç i kishte thënë më herët Radios Evropa e Lirë se si përfaqësues ligjor i familjes Vukashinoviq është i shqetësuar për faktin që organet shtetërore të Serbisë nuk janë prononcuar për rastin dhe se ende nuk dihet nëse ndaj Vukashinoviqit është ngritur ndonjë akuzë, nëse është në paraburgim apo cili prokuror po merret me rastin.

Në Kosovë, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që bota të reagojë dhe t’i ndalë “sulmet e Serbisë” që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kur u pyet për këtë rast, tha se sipas informacioneve, ngjarja ndodhi në territorin e Kosovës dhe se Vukashinoviq u sulmua sepse “është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky veprim është pjesë e politikës së Serbisë, bazuar në frikësimin dhe persekutimin e qytetarëve që nuk i binden regjimit të presidentit serb Vuçiç./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos