Për herë të parë në histori, sot në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do të jetë një shqiptar. Talat Xhaferri ka marrë detyrën si kryeministër i qeverisë teknike me mandat 100-ditor. Ai u votua dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.
Në fjalën e tij, Xhaferi tha se prioriteti i qeverisë së tij do të jetë “përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të ndershme dhe demokratike, sundimi i ligjit dhe respektimi i Kushtetutës, si dhe promovimi i marrëdhënieve strategjike me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n, si edhe ruajtja e e dinjitet të RMV në rajon”.
“Qeveria në bashkëpunim me Kuvendin, KSHZ-në, OSBE-ODIHR, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të zbatojë të gjitha parakushtet operacionale duke mundësuar që zgjedhjet të zhvillohen me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit të qytetarëve. Mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjike të RMV-së me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë prioritet i kësaj qeverie. Nuk ka alternativë tjetër për vendin tonë përveç integrimit europian. Mbetet në fokus të qeverisë anëtarësimi në BE, deri në vitin 2030. Prioritet i kësaj qeverie do të jenë edhe reformat ekonomike në vend, sundimi i ligjit dhe rritja e standardit jetësor në vend”.
Nga ana e tij, ish-kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kërkoi bashkëpunim nga të gjithë vartësit në qeveri dhe vullnet politik për të realizuar zgjedhje demokratike.
“Qeveria do të jetë e përkushtuar në interesat e shtetit me kompetenca ligjore. Në 100 ditët e ardhshme do të organizojmë zgjedhje parlamentare e presidenciale. Të gjitha procedurat ligjore duhet të vazhdojë të realizohen. Ne presim përkushtim të të gjithë vartëseve në këtë qeveri. Apeloj të gjithë subjektet që të kenë parasysh kontekstin aktual, qeveria të punojë në interes të qytetarëve sigurisë e stabilitetit në vend. Qeveria ka arritur të vendosë sistem në kohë krize. Pres vullnet politik dhe të zbatohen zgjedhjet demokratike, siç i ka hije një vendi të NATO-s dhe që është në negociata me BE-në. Sot është koha e bashkimit, jo e ndarjes. Është koha për optimizëm dhe besim. Pagat do të vijojnë të rriten”.
Talat Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, më 8 maj. (A2 Televizion)