Ministri i Jashtëm i Serbisë: Jemi gati që takimi mes Trump dhe Putin të mbahet në Beograd

Nga A2 CNN
13 Janar 2025, 16:19 | Ballkani

Ministri i Jashtëm i Serbisë: Jemi gati që takimi mes Trump dhe

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, tha se Serbia është e gatshme të mirëpresë një takim të mundshëm midis presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm si mikpritëse. Presidenti [Aleksandar] Vuçiç ka ndërtuar një reputacion ndërkombëtar, që na mundëson të jemi vend i takimeve të tilla”, tha Gjuriç për Radio-Televizionin e Serbisë.

Media të ndryshme ndërkombëtare janë duke raportuar ditëve të fundit për mundësinë e një takimi të tillë, derisa Trump - i cili është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën e Rusisë në Ukrainë - pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar.

Kremlini tha të hënën se nuk ka ende ndonjë përgatitje specifike për këtë takim, ndërsa një këshilltar i Trumpit tha se dy udhëheqësit pritet të bisedojnë përmes telefonit në ditët ose javët në vazhdim, raporton Reuters.

Duke folur për RTS-në, Gjuriç tha se Beogradi mund të bëhet me sukses vend i takimit.

“Besoj se mund ta japim kontributin tonë dhe të luajmë një rol të vogël, por jo krejtësisht të parëndësishëm, dhe t’ua ofrojmë një gjë të tillë partnerëve tanë”, tha Gjuriç.

Për gatishmërinë e Serbisë për t’u bërë nikoqire e mundshme e Trumpit dhe Putinit foli një ditë më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Javën e kaluar, industria e saj e naftës, NIS, e cila në masë të madhe është nën pronësinë e një kompanie ruse, është sanksionuar nga SHBA-ja.

Por, Gjuriç tha se Serbia i ka marrë të gjitha masat për t’i shmangur trazirat në treg.

Ai gjithashtu tha se Serbia do të nisë dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kjo është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë. Partneriteti e bën të rregullt shkëmbimin ndërmjet institucioneve tona dhe kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, teknologjisë së re, kulturës dhe arsimit, me një numër më të madh të bursave”, tha Gjuriç.

Për zgjedhjet në Kosovë

Kryediplomati serb foli edhe për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.

“Është e rëndësishme që populli ynë të mbetet unik dhe që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje, për të treguar se nuk po tërhiqemi”, tha Gjuriç.

“Unë vërtet dua që serbët të dalin në zgjedhje, t’i tregojmë [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, se nuk dorëzohemi, se nuk largohemi nga institucionet dhe se serbët dhe Serbia nuk tërhiqen”, shtoi ai.

Lista Serbe është formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë është e vetmja parti që ka mbështetjen e Serbisë për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës.

Përveç Listës Serbe, në garë për dhjetë ulëset e garantuara për serbë në Kuvendin e Kosovës janë edhe pesë subjekte të tjera politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos