Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ai i Republika Srpska janë nisur për në Nju-Jork, aty ku do të mbahet edhe sesioni i Kombeve të Bashkuara për rezolutën e Srebrenicës.
Përpara nisjes, lideri serb ka bërë një ndalesë pranë Kishës së Shën Savës në Vraçar, aty ku mori edhe bekimin, siç thotë Vuçiç nga Patriarku Porfirio.
“Po shkoj në Nju-Jork për të luftuar me gjithë forcën dhe zemrën time për të ardhmen e vendit tonë”, tha Presidenti i Serbisë.
“Ata që janë kundër nesh janë të fortë, por Serbia është shenjtërorja jonë më e madhe. Ka shumë gënjeshtra, por e vërteta është një dhe e përjetshme”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Sakaq, teksti për rezolutën e Srebrenicës është tashmë gati. Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Republikës Srpska, nuk e pranojnë të jetë kryer gjenocid në Srebrenicë. (A2 Televizion)