Serbia nuk u mashtrua kur nënshkroi marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, por gjatë fazës së zbatimit të saj, pasi Prishtina nuk i përmbushi kurrë detyrimet. Kështu pretendon ministri I brendshëm serb, Ivica Dacic i cili përmend formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si elementin më të rëndësishëm të ujdisë, i paplotësuar nga Prishtina me mbështetjen e heshtur të Brukselit.
“Jo vetëm që nuk u përmbush, por u refuzua vazhdimisht dhe hapur, u poshtërua dhe u tall para të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Serbia, si një shtet serioz dhe një partner i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare, përmbushi pjesën e saj të detyrimeve sipas asaj marrëveshjeje”, tha Ivica Daçiç.
Daçiç shtoi më tej se Serbia nuk po heq dorë nga dialogu, por se nuk do të marrë më pjesë në procese që shërbejnë për të ligjëruar lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, siç i cilëson, shkruan A2 CNN.
“Ne nuk jemi një popull të cilit i serviren marrëveshje vetëm për t'u shkelur në mënyrë të njëanshme më vonë. Ne nuk jemi këtu për të përmbushur dëshirat e të tjerëve, ndërsa kërkesat tona injorohen. Populli serb në Kosovë dhe Metohi është pjesë e identitetit tonë, historisë sonë dhe përgjegjësisë sonë shtetërore. Nëse dikush mendon se Serbia do të shikojë në heshtje ndërsa marrëveshjet shkelen, ndërsa serbët burgosen, arrestohen, rrihen dhe poshtërohen, gabohet”, tha Ivica Daçiç.
Daçiç shton më tej se Marrëveshja e Brukselit ishte një shans për paqe, por se ajo u shkatërrua nga ata që e shndërruan atë në një instrument të politikës së një anshme. (A2 Televizion)