Natë zjarri në Beograd, përleshje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të Vuçiç, dhjetëra të arrestuar

Nga Rosalba Bejdo
3 Nëntor 2025, 15:11 | Ballkani

Natë zjarri në kryeqytetin serb. Përleshje të dhunshme shpërthyen pranë godinës së parlamentit në Beograd, mes kundërshtarëve të Vuçiç dhe mbështetësve të tij që kanë ngritur tenda atje. Disa mijëra njerëz u përplasën në të dyja anët e kordonëve policorë, me efektivët që qëndronin në radhë mes turmave rivale, të cilat bërtisnin dhe hidhnin gurë e lëndë plasëse në drejtim të njëra-tjetrës.

Policia arrestoi të paktën 37 persona, të cilët, siç tha, penguan rendin publik dhe shkaktuan incidente gjatë një tubimi të paregjistruar publik, shkruan A2 CNN. Fraza “grumbullim i paregjistruar publik” përdoret nga zyrtarët për të gjitha protestat antiqeveritare që janë mbajtur prej nëntorit të kaluar, kur ndodhi tragjedia në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Tensionet në Beograd u ndezën një ditë pasi dhjetëra mijëra njerëz iu bashkuan një manifestimi masiv në qytetin e Novi Sadit, me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë që u mori jetën 16 personave dhe shkaktoi protestat më të mëdha në dekada.

Presidenti Aleksandër Vuçiç u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, ndërsa tha se trazirat kishin shpërthyer pasi në Novi Sad u shfaq një numër më i vogël njerëzish nga ç’pritej. Duke akuzuar protestuesit opozitarë për përpjekje për t’u vënë flakën mbështetësve të tij, Vuçiç i cilësoi ata si bllokues të demokracisë, që nuk tolerojnë mendimet ndryshe.

Protestuesit antiqeveritarë në Beograd u mblodhën në mbështetje të Dijana Hrka, nënës së Stefan Hrka, një prej viktimave në stacionin hekurudhor. Më herët, gruaja tha se do të niste një grevë urie pranë tendave të ngritura jashtë godinës së parlamentit nga mbështetës të Vuçiçit. Tenda të cilat u ngritën në prag të një marshimi në Beograd në muajin mars dhe kanë qëndruar atje për muaj me radhë, nën masa të rrepta sigurie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos