
Pas ndarjes nga jeta të Ratko Mladić, ish-komandantit të forcave serbe, i njohur si “Kasapi i Bosnjës” për rolin e tij në luftërat e Ballkanit gjatë viteve 1990, gazetari i BBC Allan Little, ka sjellë në vëmendje takimin me të gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në muajt e parë të luftës në Bosnjë.
Gazetari i BBC-së e nis shkrimin e tij duke përshkruar atmosferën e spastrimit etnik, me mijëra civilë të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar ofensivave ushtarake. Ai kujton veçanërisht një burrë 80-vjeçar të zhvendosur nga lufta, i cili, kur u pyet për përkatësinë etnike, iu përgjigj: “Jam muzikant”, një moment që, sipas gazetarit, tregonte se viktimat e konfliktit ishin shumë më tepër sesa etiketat etnike apo fetare.
“E pyeta sa vjeç ishte. Tha se ishte 80 vjeç. "A mund të pyes," i thashë, "a je kroat apo mysliman?" Kujtimi i kësaj më turpëron edhe tani, ndërsa dëgjoj, në mendjen time, përgjigjen e tij të jehojë nëpër vite. "Unë jam," tha ai, "një muzikant". Skema jonë e përshtatshme etnike i reduktonte në serbë, kroatë dhe myslimanë. Por ata ishin gjithashtu muzikantë, shkencëtarë, mjekë, hidraulikë, fermerë, nëna, baballarë, vëllezër dhe motra dhe shumë shpesh fëmijë”, tregon gazetari.
Little tregon se e takoi Mladićin në verën e vitit 1992 në kazermat e Lukavicës, pranë Sarajevës. Sipas tij, gjenerali serb shfaqej i mbushur me entuziazëm luftarak, ndërsa deklaronte se mbronte “vëllazërinë dhe unitetin” dhe ëndërronte një botë pa luftë. Megjithatë, Little thotë se që në atë takim Mladići i la përshtypjen e një njeriu fanatik dhe të rrezikshëm.
“E takova Mlladiçin atë verë të parë të nxehtë të luftës në Bosnjë. Ishim në kazermat e Lukavicës në skajin jugor të Sarajevës. Kazermat ishin plot me armë dhe me paraushtarakët kërcënues. Mund të blije një Kallashnikov për 200 dollarë, një granatë dore vetëm për një dollar, i njëjti çmim, do të mësoja shpejt, sa kostoja e një veze të freskët në qytetin e rrethuar. I shtrëngova dorën dhe ai e mbajti fort dhe më tërhoqi pranë vetes. Më tha se sapo ishte kthyer nga vija e frontit në qendër të qytetit të Sarajevës dhe pashë se ishte entuziazmuar nga afërsia emocionuese e luftimeve. Ai më mbajti dorën për shumë minuta, më nguli sytë dhe më tha se ishte mbrojtësi i madh i vëllazërisë dhe unitetit në ish-Jugosllavi dhe se ëndërronte një botë ku nuk do të kishte armë dhe luftë. Atëherë më dukej fanatik, në mënyrë të rrezikshme”, vijon gazetari i BBC.
Forcat nën komandën e Mladićit u akuzuan dhe u dënuan për disa nga krimet më të rënda të luftës në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë spastrimin etnik, vrasjet masive, përdhunimet sistematike dhe gjenocidin e Srebrenicës.
Allan Little kujton gjithashtu humbjen e kolegut të tij, kameramanit Tihomir Tunukovic, i vrarë nga një snajper serb, duke theksuar se klima e krijuar nga komanda e Mladićit kushtoi jetën e dhjetëra mijëra njerëzve. (A2 Televizion)