Arben Fetai ka dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për “Qeverisjen e Mirë”, duke i dhënë fund një periudhe të shoqëruar me polemika për mungesën e tij në aktivitetet qeveritare.
Në një postim në Facebook, Fetai bëri të ditur se ia ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e cilësuar vendimin si të mirëmenduar dhe të marrë me bindjen se “në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze”, shkruan A2.
“Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Fetai, ndërsa pranon se jo gjithçka është arritur sipas pritshmërive.
Dorëheqja vjen vetëm pak javë pasi emri i tij u përfshi në debat publik për mungesat e gjata në punë.
Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, Fetai nuk ishte paraqitur në detyrë prej muajsh, ndërsa aktivitetet e tij të fundit publike si zëvendëskryeministër datonin që nga marsi. (A2 Televizion)