Serbia ka marrë kritika të forta nga Bashkimi Europian për shkak të afrimit me Kinën dhe kryerjen e stërvitjes së parë ushtarake mes ushtrisë serbe dhe asaj kineze. Me këtë veprim, Serbia bëhet vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që zhvillon stërvitje të tilla me Kinën.
Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi më 14 korrik se stërvitja, e quajtur “Rojtari i Paqes 2025”, do të zhvillohet në gjysmën e dytë të korrikut, në provincën Hebei në veri të Kinës, shkruan A2 CNN. Viteve të fundit, Serbia ka blerë armë nga Kina, duke u bërë vendi i parë në Evropë që blen sistemin kinez kundërajror, FK-3. Për shkak të qasjes ndaj Kinës dhe Rusisë, Brukseli e ka paralajmëruar disa herë Serbinë.
Edhe stërvitja ushtarake me Kinën u pa në të njëjtin kontekst kritik nga BE-ja. “Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme”, ishte mesazhi nga Brukseli. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se blloku dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme evropiane, për parime dhe vlera të përbashkëta. (A2 Televizion)