“Tensione Serbi-Kosovë”, Franca lëshon alarmin: Rusia gati për luftë, rrezik në Ballkan

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 20:20 | Ballkani

Franca ka bërë një rishikim strategjik kombëtar, në të cilin lëshohet alarmi për rrezikun e një lufte në Evropë. Kërcënimi serioz, si ushtarak dhe bërthamor, vjen nga Rusia, ndërsa përmendet me shqetësim dhe Ballkani Perëndimor si një nga rajonet e vendosura në shënjestër.

Në raportin vjetor, shteti francez vlerëson se Moska përbën një kërcënim të vazhdueshëm për europën dhe pretendon se është në një gjendje thuajse në luftë. “Në periferinë e afërt të Bashkimit Europian, si Bjellorusia, Ballkani dhe Moldavia, veprimet e Rusisë kanë rritur tensionet e sigurisë”, shkruhet në dokumentin e Rishikimit Strategjik Kombëtar.

Qeveria e Francës vlerëson më tej se mundësia e një sulmi të ri nga Rusia kundër Europës brenda 3 apo 5 viteve të ardhshme është prezente.

“Ofensivat e Rusisë kundër Ukrainës, në Moldavinë fqinje, në Ballkan apo kundër shteteve anëtare të NATO-s, për të testuar unitetin e aleancës, janë të mundura. Rreziku më i madh është se një agresion i tillë mund të përkojë me operacione të mëdha në vende të tjera të botës, për të ndarë forcat e ushtrisë Amerikane.”

Qeveria e Francës i ka kushtuar një rëndësi të konsiderueshme luftës ndaj përpjekje të Rusisë për të destabilizuar europën dhe Ballkanin në fushën e sigurisë kibernetike. Gjithashtu nënvizon se rriti investimet në rajonin tonë dhe mbështeti progresin për anëtarësim në BE. 

“Dialogu politik dhe ushtarak është intensifikuar, përfshirë edhe me tre aleatët e NATO-s në rajon. Franca ka rritur angazhimin e saj ndaj operacioneve dhe aftësive të inteligjencës kombëtare, veçanërisht duke riinvestuar në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe duke marrë komandën strategjike të misionit EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë. Stabiliteti dhe siguria e Ballkanit do të mbetet një shqetësim kyç për sigurinë e kontinentit europian, duke pasur parasysh vatra të vazhdueshme tensioni (Bosnja dhe Hercegovina, Serbi-Kosovë) dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme dypalëshe.”

Mes tjerash qeveria e Francës thekson se do të vazhdojë të fuqizojë marrëdhëniet me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ata që zotërojnë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos