Serbia dhe Kina bashkojnë forcat e armatosura, për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, gjatë gjysmës së dytë të korrikut.
Siç njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes kombëtare në Pekin, operacioni i quajtur “Paqeruajtësit 2025” do të ndihmojë në fuqizimin e kapaciteteve luftarake të trupave pjesëmarrëse dhe do të thellojë bashkëpunimin mes dy ushtrive, shkruan A2.
Pjesë e ushtrimeve të përbashkëta që do të mbahen në rajonin verior të Kinës, Hebei, “do të jenë forcat speciale të Serbisë dhe Kinës”.
Kjo do të jetë hera e parë që Kina i bashkohet një stërvitje ushtarake me një shtet që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e "Partneritetit për Paqe", një program bashkëpunimi dypalësh midis NATO-s dhe vendeve individuale joanëtare.
Beogradi përpiqet të ruajë marrëdhënie të mira me Kinën dhe Rusinë nga njëra anë, dhe vendet e BE nga ana tjetër. Megjithatë, ajo konsiderohet si një prej partnerëve më të ngushtë të Pekinit, me të cilin në 2016 ka nënshkruar një partneritet strategjik me fokus tek tregtia dhe ekonomia.
Në mars të 2021-shit dy vendet afirmuan angazhimin për të thelluar bashkëpunimin ushtarak. Serbia është i vetmi vend europian që përdor armatime kineze dhe në 2020 ishte i pari në këtë kontinent që porositi dronë të prodhuar në Kinë, CH 92A dhe CH 95.
Përveç kësaj, Beogradi siguroi sistemin e integruar të mbrojtjes ajrore të Kinës, FK-3, në vitin 2022, duke e përfshirë zyrtarisht në janar të këtij viti. (A2 Televizion)