Rusia dekoron kryespiunin serb, Vulin u sanksionua në SHBA për destabilizim të Ballkanit

Nga Rosalba Bejdo
29 Janar 2024, 12:36 | Ballkani

Rusia dekoron kryespiunin serb, Vulin u sanksionua në SHBA për

I sanksionuar në SHBA, dhe i nderuar në Rusi. Ish-drejtori i Agjencisë serbe të zbulimit, Aleksandar Vulin, është dekoruar nga kreu i Shërbimit Federal rus të Sigurisë, Aleksandar Bortnikov, sic thuhet për “profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kontributin për bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve serbe dhe ruse”.

Vulin i cili ka shërbyer si drejtor i Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion e njohur si BIA deri në nëntor të vitit të kaluar, drejton partinë serbe lëvizja socialiste dhe prej kohësh është partner i koalicionit qeverisës të drejtuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ai u dorëhoq në fillim të nëntorit të kaluar, katër muaj pasi u sanksionua nga SHBA, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese, që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor për ndihmimin e Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, një organizatë politike në Serbi, tha se lëvizja “I jep fund dyshimit se i ashtuquajturi neutralitet ushtarak është në fakt vetëm një mbulesë për ndikimin e butë të Rusisë në këto rajone”.

“Serbia duhet të distancohet nga dekorim i Vulinit nëse vazhdon rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe krijon politikën e saj të jashtme në atë drejtim” tha Aris Movsesijan, zyrtar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë.

Aleksandar Vulin, ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët, para se të bëhej drejtorit Agjencisë serbe të zbulimit në vitin 2022. Si ministër i Brendshëm i Serbisë, Vulin vizitoi Moskën në muajin gusht të vitit 2022, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian, që nënvizoi refuzimin e Beogradit për t'iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos