SHBA i zgjat licencën e punës NIS-it

Nga A2 CNN
20 Mars 2026, 23:15 | Ballkani

SHBA i zgjat  licencën e punës NIS-it

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Departamentit amerikan të Thesarit ia ka zgjatur licencën e punës Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS) deri më 17 prill 2026, ka bërë të ditur Ministria serbe për Miniera dhe Energji.

Ministrja Dubravka Gjedoviq Handanoviq ka thënë se zgjatja e licencës së punës është me rëndësi sidomos në kohën e rritjes së çmimeve të naftës ditë pas dite.

“Rafineria në Pançevë vazhdon të operojë dhe furnizimet janë stabile. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, nuk ka nevojë për rezerva, ne kemi mjaftueshëm produkte të naftës”, është cituar të ketë thënë ministrja, përcjell A2.

Kompania më e madhe e naftës në Serbi është goditur me sanksione meqë pjesa më e madhe e saj është nën pronësinë ruse. Synimi i sanksioneve amerikane që shënjestrojnë sektorin rus të energjisë – dhe e kanë prekur edhe kompaninë më të madhe të naftës në Serbi – është për të parandaluar Rusinë nga financimi i mëtejmë i luftës në Ukrainë.

Grupi hungarez MOL, ka konfirmuar më 19 janar se i ka nënshkruar dispozitat kryesore të një marrëveshjeje me Gazpromneftin e Rusisë për të blerë 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it.

Kompania hungareze është duke zhvilluar bisedime me ADNOC-in e Emirateve të Bashkuara Arabe për përfshirjen në strukturën e NIS-it si aksionar me pakicë. Diçka e tillë do të kërkojë edhe miratimin e autoriteteve amerikane.

NIS-i ka licencë për të negociuar largimin e pronësisë ruse nga kompania deri më 24 mars./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos