Shqetësimi i perëndimit: Vuçiç nuk e do integrimin në BE

Nga A2 CNN
19 Maj 2025, 21:12 | Ballkani

Shqetësimi i perëndimit: Vuçiç nuk e do integrimin

Aleksandar Vuçiç nuk është i interesuar për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kështu mendon një nga ekspertet e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Iana Stradner. Në një reagim të sajën për median ukrainase, “Kiev Post”, Stradner vë në dukje lojën e presidentit të Serbisë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ndikimin e korrupsionit në vendimet e politikës së lartë të Beogradit. 

“Brukseli duhet ta kuptojë se Vuçiç nuk është i interesuar për një anëtarësim në BE. Ai e mban derën hapur për në BE me qëllimin e vetëm të thithjes së sa më shumë fondeve nga Brukseli. Ai nuk ka ndonjë interes ta lidhë Serbinë me Bashkimin Europian dhe rregullat e saj strikte të luftës kundër korrupsionit, forcimit të shtetit të së drejtës dhe qeverisë demokratike. Përkundrazi, akti i parë që bëri Vuçiç sapo mori pushtetin ishte shkatërrimi i opozitës politike duke forcuar grupimet të djathtës ekstreme për të zgjatur pushtetin e tij”, tha Ivana Stradner.

Vuçiç po përballet brenda vendit me protesta masive, pas vdekjes së 16 personave të cilët u vranë si pasojë e rënies së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Stradner beson se Vuçiç ka nevojë për Putinin. Për këtë qëllim, udhëheqësit perëndimorë janë përpjekur të qetësojnë presidentin e Serbisë duke ofruar stimuj, duke përfshirë iniciativa ekonomike dhe investime, me shpresën për ta bërë atë partner. 

“Vuçiç nuk dëshiron që Serbia të jetë më afër Perëndimit dhe Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij përfundimtar është të mbetet në pushtet duke luajtur me të dyja palët, duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën duke marrë përfitime ekonomike nga BE”, shtoi Stradner.

Në perëndim analistët besojnë se, Putini poshtëroi Brukselin duke pritur Vuçiçin dhe Fico-n në Moskë, duke siguruar që përgjigja e BE-së të mbetet e dobët dhe kryesisht retorike, “pa pasoja konkrete”.

Pavarësisht nga kërcënimet e BE-së dhe vizita e Vuçiçit në Moskë, më 13 maj, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, takoi Vuçiçin në Beograd dhe theksoi se Serbia është “plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të pranimit evropian”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos