Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur një garë armësh duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pasi tre vendet nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiç theksoi se memorandumi përbën shkelje të marrëveshjes nën rajonale dhe tha se është i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë.
Presidenti serb bëri të ditur se e kishte ngritur çështjen në takimin me shefin e aleancës veri atlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.
“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t'i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm. Është detyra jonë t'ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”.
Vuçiç shtoi se me Rutten ka biseduar edhe për situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet mes Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë. Rutte, ndërkohë, shkroi në X se me presidentin serb bisedoi për rëndësinë kritike të ruajtjes së sigurisë rajonale, si dhe se si të vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet NATO-Serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka cilësuar kundërshtimet e Serbisë për nismën e bashkëpunimit të mbrojtjes si shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, e cila, siç thotë, parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës .
"Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si garantuese e paqes në Ballkan' është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit", tha ministria e punëve të jashtme në një deklaratë.
(A2 Televizion)