Shqipëria me vlerësime pozitive, por pa datë për hapjen e kapitujve, masat ndaj Kosovës hiqen pas zgjedhjeve në komunat veriore

Nga Xhevahir Qardaku
13 Dhjetor 2023, 14:29 | Ballkani

Këshilli Europian ka dhënë vlerësime pozitive për Shqipërinë në konkluzionet e miratuara për zgjerimin. Liderët e BE përgëzojnë vendin tonë për progresin e bërë në procesin e negociatave, përfshirë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare dhe përmbylljen me sukses të procesit “screening”.

Megjithatë Brukseli nuk përcakton një datë për hapjen e kapitujve të parë me Shqipërinë. Pozitiv vlerësohet dhe përparimi i bërë në fushën e respektimit të të drejtave themelore, veçanërisht në sundimin e ligjit me zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi dhe reformës në administratën publike.

“Këshilli i bën thirrje Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të fuqizuar më tej mbrojtjen e të drejtave themelore, lirinë e mediave, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve. Këshilli inkurajon zbatimin gjithpërfshirës të reformës në sektorin e pronës dhe konsolidimin e të drejtës së pronës në një mënyrë transparente, përfshirë duke mbajtur konsultime me të gjithë aktorët përkatës, duke adresuar dhe rastet e falsifikimit të dokumenteve dhe avancuar procesin e regjistrimit dhe kompensimit.”, thuhet ndër të tjera në raport.

KONKLUZION I KËSHILLIT TË BE

BE i bën thirrje Shqipërisë që të përfundojë procesin e censusit në transparencë të plotë. Gjithashtu vlerëson angazhimin në bashkëpunimin rajonal, por thekson se raportet e mira me fqinjët mbeten një elemten thelbësor për procesin e zgjerimit. Sa u përket konkluzioneve për zgjerimin me vendet e tjera të rajonit, BE shpreh shqetësim të thellë për situatën në Veri të Kosovës, duke bërë fajtorë Beogradin dhe Prishtinën me veprimet e tyre të njëanshme. Heqjen e masave ndëshkuese, Brukseli e lidh vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 4 komunat veriore, pavarësisht se konfirmon progresin e bërë në këtë drejtim. Këshilli i BE dënon me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, ndërsa shpreh zhgënjim për mungesën e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Brukseli kërkon formimin e asociacionit dhe përgëzon Prishtinën dhe Beogradin për pranimin e draft-statutit të ofruar nga ndërmjetësuesit e BE. Sa i përket Serbisë, unioni shpreh kritika për sjelljet diskriminuese ndaj minoriteteve, një referencë që prek dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Gjithashtu Beogradit i kërkohet që bashkëpunojë plotësisht me Kosovën për sulmin e 24 shtatorit dhe që të dërgojë para drejtësisë personat e përfshirë në agresion. Kritikë e fortë shprehet në konkluzione për faktin që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Sa u përket vendeve të tjera të rajonit, Maqedonisë së Veriut i kërkohet të bëjë ndryshimet kushtetuese, Bosnjë e Hercegovinës që të përmbushë reformat e kërkuara dhe Malit të Zi që të mundësojë funksionimin normal të gjyqësorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos