Samiti i fundit i liderëve te Bashkimit Europian për këtë vit, u mbyll pa një vendim për Ballkanin Perëndimor. Në deklaratën përfundimtare krerët e vendeve të bllokut e cilësuan zgjerimin si investim gjeostrategjik në paqe dhe siguri, ndërsa theksuan se palët duhet të punojnë paralelisht për të qenë gati për anëtarësimin.
“Shtetet aspirante duhet të përshpejtojnë përpjekjet për reforma veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, në një linjë me natyrën e bazuar në merita të procesit të anëtarësimit. Paralelisht, Blloku duhet të vendosë bazat e nevojshme të brendshme, duke përcaktuar ambiciet afatgjata të Unionit dhe mënyrat për t'i arritur ato”.
Duke rikonfirmuar përkushtimin e qartë për të perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, Këshilli kërkon përshpejtim të procesit të anëtarësimit. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, blloku përsërit se kapitulli i parë i hapjes së negociatave do të kompletohet pas implementimit të ndryshimeve kushtetuese lidhur me pakicën bullgare të kërkuara nga Sofja. Këshilli Europian i kërkon Shkupit të përshpejtojë përfundimin e këtyre ndryshimeve.
Më herët, kancelari gjerman Olaf Scholz kritikoi bllokimin e zgjerimit nga çështjet dypalëshe, duke kërkuar që të hiqet e drejta e vetos për faza të caktuara të procesit. Ai ju referua edhe bllokadës që Greqia ka kërcënuar ti vendosë Shqipërisë për shkak të çështjen Beleri. Deklarata e tij nxiti reagimin e Athinës zyrtare, që tha se ajo me Shqipërinë nuk është çështje dypalëshe, por e shtetit ligjor. (A2 Televizion)