Tensionet në Ballkan! VMRO-DPMNE do ngjallë përplasjet me Athinën dhe Sofjen

Nga Erjon Dervishi
6 Maj 2024, 13:20 | Ballkani

Maqedonia e Veriut duket se është në një kurs përplasjeje me fqinjët e saj të BE-së, Greqinë dhe Bullgarinë çka mund të thellohet pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 8 majit, sipas Politikos.

Shefi i partisë VMRO-DPMNE dhe kandidati për Kryeministër, Hristijan Mickoski ka refuzuar të pranojë emrin e ri të "Maqedonisë së Veriut", duke e etiketuar vendin si Maqedoni, çka solli edhe reagimin e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis, i cili i ka rikujtuar Shkupit respektimin e Marrëveshjes së Prespës si kusht për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Në raport me Bullgarinë, VMRO-DPMNE kërkon të hedhë poshtë kërkesën e Sofjes për ndryshime kushtetuese që njohin pakicën bullgare. Hristijan Mickoski, është zotuar se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese “nën diktimin bullgar as tani dhe as në të ardhmen”.

Ata duhet të kërkojnë nga përfaqësuesi bullgar të largohet nga vendi ku po merret ky vendim dhe të shkojë diku ku mund të pijë një kafe apo diçka tjetër”, tha Mickoski.

Sakaq, në sfond sipas analistëve të pyetur nga Politico dhe Euracitv, po shfaqen tensionet etnike. Mickoski ka përdorur një gjuhë gjithnjë e më nxitëse ndaj partisë më të madhe shqiptare, BDI-së duke nxitur frikën se retorika mund të prishë marrëdhëniet e brishta ndëretnike.

BDI, së bashku me një koalicion të partive të pakicës, duket se do të marrin numrin më të madh të votave të shqiptarëve, por Mickoski i quan liderët e saj "hajdutë" ndërsa ka sugjeruar koalicion më kampin tjetër shqiptar.

Sa herë që them të vërtetën, ata e shtrembërojnë atë si sulm ndaj shqiptarëve”.

Si një faktor që nuk ndikon për mirë sa i përket shqiptarëve atje, Politico përmend luftën për ndikim mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, që siç thotë mbështesin kampe të ndryshme të partive shqiptare atje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos