Zyrtarët e shtetit serb e shprehin hapur “dashurinë” që kanë për Miroslav Lajçak. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Petar Petkoviç, dhe Marko Gjuriç, që merr postin e ministrit të jashtëm, gjatë një takimi me përfaqësuesit diplomatik të QUINT-it dhe BE-së në Beograd, theksuan se mbështesin punën e ndërmjetësuesit.
Ata zbuluan se Lajçak po punon fort për të shtyrë Kosovën drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Petkoviç dhe Gjuriç pranuan se draft-statuti i Asociacionit i përgatitur nga BE-ja, është një bazë e mirë për të vazhduar diskutimet për statutin përfundimtar.
Kryenegociatori serb në dialogun e Brukselit pretendoi sërish se Kosova është palë penguese në bisedimet për të zgjidhur çështjen e dinarit. Sërish paraqiti pretendimin e tij dramatik se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës vendos në pikëpyetje mbijetesën fizike të serbëve të Kosovës. (A2 Televizion)