“Thikë pas shpine”: Si u tërbua Rusia kundër Serbisë

Nga Enver Robelli
1 Qershor 2025, 19:32 | Ballkani

“Thikë pas shpine”: Si u tërbua Rusia kundër

Ka dëshmi se Serbia, përmes vendeve të treta, po i dërgon armë dhe municione Ukrainës. Shërbimi sekret rus tani ka ngritur akuza të rënda ndaj aleatit në Ballkan.

Enver Robelli

Që nga shkurti i vitit 2022, kur diktatori rus Vlladimir Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës, Serbia ka theksuar vazhdimisht neutralitetin e saj në këtë luftë që ka tronditur Europën. Përkundër kësaj, autokrati i Beogradit, Aleksandar Vuçiq, nuk pushon së nënvizuari lidhjet e ngushta me Rusinë, si popull vëllazëror ortodoks.

Në fillim të majit, Vuçiq mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë, e cila shënonte përfundimin e Luftës së Dytë Botërore 80 vjet më parë – një goditje ndaj BE-së, meqenëse Serbia është kandidate për anëtarësim. Disa shtete të BE-së madje ia ndaluan Vuçiqit të drejtën për të fluturuar mbi territoret e tyre gjatë rrugës për në Moskë. Me këtë vizitë dhe takimin me Putinin, presidenti serb duket se tentoi të zbusë marrëdhëniet me Rusinë.

Arsyeja e tensioneve është kjo: që nga viti 2023 ka indikacione se Serbia po dërgon armë në Ukrainë përmes shteteve të treta. Një dokument i Pentagonit sugjeronte këtë dyshim. Sipas një raporti të gazetës britanike “Financial Times” nga viti 2024, qeveria në Beograd i ka shitur Ukrainës municion në vlerë prej rreth 800 milionë eurosh.

Të enjten e kaluar, shërbimi sekret i jashtëm rus SVR e akuzoi drejtpërdrejt Serbinë për tregti armësh me Ukrainën. Sipas palës ruse, të paktën shtatë kompani të mëdha serbe të industrisë së armatimit i kanë furnizuar Kievin me qindra mijëra raketa dhe miliona fishekë për armë të kalibrit të vogël. Shitja thuhet se është kryer nëpërmjet certifikatave të falsifikuara për përdoruesit final dhe ndërmjetësve. Sipas Moskës, dërgesat e armëve për Ukrainën bëhen përmes shteteve anëtare të NATO-s si Polonia, Bullgaria dhe Çekia. Kohët e fundit, për këtë qëllim po përdoren edhe “rrugë më ekzotike” me përfshirjen e disa shteteve afrikane, supozojnë agjentët rusë.

Deklarata e shërbimit sekret rus arrin kulmin me akuzën se Serbia po përpiqet të godasë Rusinë me “thikë pas shpine”. Qëllimi i këtyre dërgesave me armë, sipas rusëve, është të vriten dhe gjymtohen ushtarë dhe civilë rusë. “Duket se dëshira e prodhuesve serbë të armëve dhe mbështetësve të tyre për të përfituar nga gjaku i popujve vëllazërorë sllavë, i ka bërë të harrojnë plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë”, deklaroi SVR.

Kjo shuplakë nga Moska duket se e ka shqetësuar presidentin serb. Në një deklaratë për televizionin shtetëror RTS, Vuçiq premtoi se do të ndalonte shitjen e armëve dhe municioneve nëse ekziston dyshimi për keqpërdorim apo dërgim në zonën e luftës në Ukrainë. Në vitin 2023, në “Financial Times”, ai kishte folur ndryshe. “Nuk jam budalla”, tha ai atëherë. “E di që ndoshta disa prej këtyre armëve përfundojnë në Ukrainë.”

Portali rus “Mash” raportoi në vitin 2023 se 3500 raketa të kompanisë serbe “Krushik” i ishin dërguar ushtrisë ukrainase nëpërmjet Turqisë dhe Sllovakisë. “Krushik” e mohoi këtë, pasi u publikua një video që supozohej se tregonte ngarkimin e raketave në një magazinë në Bratislavë.

Akuzat nga Moska tani tregojnë se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë nuk janë aq të përsosura sa përpiqet t’i paraqesë Vuçiq. Që nga marrja e pushtetit në vitin 2012, ai ndjek një politikë që njihet si “diplomacia me katër karrige”: Serbia aspiron të anëtarësohet në BE, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë, Kinën dhe regjime të tjera autokratike. Përveç Turqisë dhe Bjellorusisë, Serbia është i vetmi vend europian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Kjo lëvizje konstante mes Lindjes dhe Perëndimit nuk mund të funksionojë gjatë. Bosko Jakshiq, një nga komentatorët më të njohur të politikës së jashtme në Serbi, deklaroi për revistën “Vreme” në Beograd: “Nëse do të shesësh municion, thuaje hapur. Të mendosh se rusët nuk do ta zbulojnë që po dërgon tonelata municioni në Ukrainë është një rast tjetër i diletantizmit”. Shumë analistë në Beograd pyesin se përse m’u në këtë moment u publikua deklarata e shërbimit sekret rus, kur dihej ngaherë se Serbia i dërgonte armë Ukrainës. Jashkiq hamendëson se kjo ka të bëjë me ndonjë aranzhman të ri mes Vuçiqit dhe administratës së Doland Trumpit. Duket se Vuçiq i ka premtuar diçka Trumpit dhe kjo ka alarmuar rusët, mendon Jakshiq.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, i kërkoi së fundmi Serbisë që të marrë një “vendim strategjik” mes Perëndimit dhe Lindjes. Pas një takimi me Vuçiqin në Beograd, ajo tha: “Vërtet nuk e kuptoj pse dikush do të donte të ishte në anën e personit që po udhëheq këtë luftë të tmerrshme në Ukrainë”.

Deri më tani, politika luhatëse e Vuçiqit mes Lindjes e Perëndimit i ka sjellë Serbisë përfitime. Që nga viti 2014, Bashkimi Europian e ka mbështetur Serbinë me rreth katër miliardë euro. Po ashtu, BE është partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit. Në të njëjtën kohë, Vuçiq ka lejuar zgjerimin e ndikimit rus në ekonominë serbe. Industria e naftës në Serbi ndodhet në pronësi të gjigandit shtetëror rus Gazprom Neft. Rreth dy të tretat e nevojave të Serbisë për gaz mbulohen nga Rusia me çmime të favorshme. SHBA e ka vënë Serbinë nën presion që të ulë varësinë nga nafta ruse. Afati për këtë u zgjat gjatë qeverisë së Donald Trump, por pritet të përfundojë në fund të qershorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos