Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është përfshirë në një skandal të denoncuar nga opozita. Sipas disa publikimeve, pretendohet se ai bashkë me vëllain dhe persona të tjerë të afërt ka përdorur aplikacionin Sky ECC për të komunikuar me kriminelë dhe kartele droge.
Nuk ka munguar dhe reagimi i Vuçiç, që natyrisht është distancuar nga ky pretendim, por nuk ofroi asnjë provë për ta vërtetuar pastërtinë e tij.
Në konferencën urgjente për media, presidenti serb pretendoi se kjo është vazhdimësi e asaj që e quajti “revolucion me ngjyra” të sponsorizuar nga shtete të huaja që duan rrëzimin e tij.
“Kur e kuptuan se ekuilibri i pushtetit po prishej. Ndërsa Serbia bëhej më e fortë, ata nuk mund të përballonin dot ritmin, kështu që nervozizmi në qarqet e huaja po rritej, kështu që ata duhej të përdornin kartelet e drogës dhe partitë opozitare. Autoritetet në Serbi nuk ishin dakord me pavarësinë e Kosovës. Ata bënë të njëjtën gjë gjatë gjithë kohës, duke u përpjekur të shembin të gjitha institucionet”, tha Vuçiç.
Ai komentoi edhe kritikat e Komisioneres së Bashkimit Europian për zgjerimin, Marta Kos, lidhur me udhëtimin në Rusi, si dhe takimin me Putinin. “Kur takohemi, ajo nuk është aq elokuente. Vetëm përsëritet si papagall. Jam i lumtur që po ndjekim politikat tona”, theksoi presidenti serb. (A2 Televizion)