U soll në mënyrë shëmbullore, del nga burgu ish-ministrja e Brendshme në Maqedoninë e Veriut

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2023, 12:23 | Ballkani

U soll në mënyrë shëmbullore, del nga burgu ish-ministrja e

Ish-ministrja e Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Gordana Jankullovska, ka dalë nga burgu, pasi vuajti një dënim prej 3 vitesh.

Jankullovska u dënua fillimisht me 6 vjet burg për blerjen e paligjshme të një autoveture Mercedes me vlerë prej mbi 500 mijë eurosh për nevojat e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Por, dënimi më pas iu ul në katër vjet heqje lirie.

Sipas Zërit të Amerikës, Gjykata e Apelit në Shkup vendosi që ta lirojë me kusht ish-ministren, e cila mund të rikthehet në burg, nëse gjatë kësaj kohe kryen një vepër tjetër penale.

Aktualisht, ndaj Jankullovskës ka një proces tjetër gjyqësor lidhur me çështjen e përgjimit të paligjshëm dhe shkatërrimin e pajisjeve për përgjim. Por sipas ekspertëve ligjorë, ajo do të lirohet edhe nga këto akuza pas lehtësimeve që parashikon Kodi i ri Penal për bartësit e funksioneve që kanë shpërdoruar detyrën.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës pranë Shkupit, Gordana Jankullovska, kishte shërbyer në bibliotekën e burgut në pavijonin e grave, ndërsa është marrë parasysh fakti se ajo është nënë e një fëmije pesë vjeç, i cili “ishte privuar nga kujdesi amënor”, por dhe sjellja e saj shembullore gjatë vuajtjes së dënimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos