Rrëmbimi dhe vrasja e 14-vjeçares në Maqedoninë e Veriut është e mbushur me dilema. Në një intervistë për Ditarin e orës 17:30 me gazetaren Bruna Çifligu, gazetari Abedin Ismajli tha se ajo që ka tronditur më shumë opinionin publik, përveç faktit që i përfshirë ka qenë edhe babai i vajzës, është edhe mungesa e reagimit të së ëmës.
“Ajo që krijon habi dhe që ka filluar të jetë temë e diskutimit është pasiviteti i të ëmës së vajzës, se vajza ka qenë e rrëmbyer për 7 ditë, e ëma nuk ka pasur asnjë paraqitje publike, flitet për dilema të mëdha, e ëma ka jetuar me 2 vajzat, ndërsa babai ka jetuar larg vajzave.
Ende nuk është zbuluar, por thuhet që rrëmbyesit e vajzës kanë kuptuar që janë duke u hetuar dhe për të mbuluar gjurmët, kanë parë të arsyeshme të vrasin vajzën, vajza është rrëmbyer pasi ka dalë nga shtëpia, këtu ka pasur dilema se si e ëma nuk ka dëgjuar të bërtiturat sepse flitet për një distancë shumë të vogël nga shtëpia e vajzës”, tha Ismajli.
Ai ka sqaruar se babai ka qenë organizator, por jo një nga rrëmbyesit, e ndërsa për fat atë ditë ka shpëtuar e motra e 14-vjeçares së vrarë.
“Të pranishëm në aktin e rrëmbimit janë vetëm 2 persona, ndërkohë organizatorë kanë qenë 5 persona, madje thuhet se motra ka qenë me fat në momentin e rrëmbimit, sepse më herët shkonin bashkë në shkollë, por atë ditë motra e saj ka mbetur në banesë, dhe këtu flitet për një koordinim shumë të pastër nga rrëmbyesit dhe prindërit, sepse e dinin që do dilte e vetme”, shtoi gazetari.
Pista se e gjitha ka ndodhur për para vijon ende të qëndrojë.
“E ëma ka shitur banesën e saj dhe pretendohet të ketë marrë një sasi të madhe monetare, prandaj ka dyshime që e gjithë ngjarja mund të ketë ndodhur për lekët”, bëri me dije gazetari Abedin Ismajli në A2 CNN.
Trupi i adoleshentes qe zhdukur që prej 27 nëntorit pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë, u gjet ditën e diel në Shkup.
(A2 Televizion)