Zëvendës kryeministri, njëherazi ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç denoncoi vrasjen e një zyrtari policor dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet perëndimor në kufi me Bosnje dhe Hercegovinën.. Autoritet serbe akuzojnë për ngjarjen një shtetas të Kosovës, me ministrinë e Brendshme që thotë se kanë gjetur një pasaporte të të dyshuarit, me emrin Artan Hajziri, i lëshuar nga autoritetet e Prishtinës dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Mediat serbe kanë publikuar edhe një foto të shtetasit të ditëlindjes, 1991.
Siç thuhet, policia serbe është vënë në kërkim të agresorit të dyshuar, me dronë e helikopterë të përfshirë në operacion. Daçiç pretendon se rasti ka ndodhur rreth orë 1:00 të natës, kur zyrtarët policorë teksa kanë qenë duke zhvilluar kontrolle pranë Lipniçki Shor, kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë zjarri duke qëlluar zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks, dhe Vjekosllav Illiq në shpatull, para se të largohej.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i përcolli ngushëllimet familjes së policit të vrarë, të cilin e përshkroi si hero.
Sakaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione, ndërsa bëri thirrje që rasti të mos politizohet. Gjithashtu Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e ministrit të Brendshëm Daçiç përmes zyrës ndërlidhëse në Beograd. Ajo deklaroi se do të mbaj të të informuar opinionin publik për këtë rast ndërsa u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të shtojnë vigjilencën gjatë kalimit në serbi dhe të shmangin lëvizjen përmes territorit serb. (A2 Televizion)