Dy ditë para takimit të paralajmëruar mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, u takua me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd.
Më herët, Lajçak zhvilloi bisedime edhe me shefin e Zyrës për Kosovën, Petkoviç, njëherazi kryenegociator i Serbisë në procesin e dialogut. Pas takimit mes Vuçiç dhe Lajçak, ku gjithashtu mori pjesë edhe Petkoviç, ky i fundit tha se Beorgadi kishte pranuar ftesën e Bashkimit Europian për vijimin e bisedimeve në Bruksel ditën e enjte, ku do të diskutohet propozimi i ri për statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne pranuam ftesën e Lajçak për t’u takua në Bruksel pas dyditësh, ku do të vijojnë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe do të shkojë me një ekip ekspertësh të posaçëm për të diskutuar tekstin e draft-statutit. Ai është hapi i parë drejt formimit të Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe”, tha Petar Petkoviç.
Sipas Petkoviç, çështja e asociacionit është më e rëndësishmja për serbët e Kosovës, bashkë me zbutjen e tensioneve, diçka për të cilën, siç tha, Vuçiç kishte këmbëngulur. Ai shtoi se presidenti kishte përmendur gjithashtu kërcënimet e vazhdueshme me të cilat përballen serbët në veri dhe ato që i quajti veprime përshkallëzuese nga kryeministri Albin Kurti. I dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak vizitoi Prishtinën javën e kaluar, ku bisedoi me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit e opozitës mbi draft-statutin e ri. (A2 Televizion)