Misionet monitoruese të OSBE/ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian i cilësuan si të drejta dhe demokratike zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, që u mbajtën më 8 maj.
Në një konferencë për shtyp ku u lexua dhe raporti paraprak me gjetjet e tij, OSBE/ODIHR raporton se zgjedhje ishin të qeta dhe në pjesën më të madhe ishin respektuar procedurat e votimit.
“Një numër i madh i rekomandimeve kryesore të ODIHR-së dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës mbetën të pazgjidhura, duke përfshirë ato për rishikim sistematik të Kodit Zgjedhor, për sigurimin e qasjes së barabartë në media në fushatat zgjedhore dhe për rritjen e llogaridhënies dhe integritetit të financimin e fushatës”, shkruhet në raport.
Misioni ndërkombëtar vëzhgues në ditën e zgjedhjeve kishte 344 vëzhgues, nga 42 vende. Raportin përfundimtar për raundin e parë dhe të dytë për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare OSBE/ODIHR paralajmëroi se do t’i publikojë për dy deri tre muaj. (A2 Televizion)