Nacionalistët marrin pushtetin në RMV, fitore e thellë e VMRO, BDI forcë e dytë, por kalon në opozitë

Nga Rosalba Bejdo
9 Maj 2024, 11:34 | Ballkani

Opozita e djathtë e Maqedonisë së Veriut, fitoi bindshëm zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale, teksa qytetarët vendosën t'i japin fund qeverisjes 7-vjeçare të Lidhjes Social Demokrate. Sipas rezultateve paraprake, kandidatja e VMRO-DPMNE, Gordana Silianovska Davkova siguroi mbi 65 përqind të votave në balotazhin për kreun e shtetit duke mundur presidentin e deritanishëm Stevo Pendarovski, i cili mori 30 për qind të votave.

VMRO-ja e Hristian Mickovski shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa ka parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

“Maqedonia është e lirë dhe do të jetë e përjetshme. Të gjithë ata që menduan se mund të shkatërrojnë vendin tonë, t’i shkaktojnë dëme dhe ta turpërojnë do të mbahen përgjegjës”, tha Misckovski.

Misckovski, i cili pritet të jetë kryeministri i ri paralajmëroi formimin e Qeverisë së re me koalicionin e opozitës shqiptare, VLEN, pavarësisht se zgjedhjet në mesin e shqiptarëve i fitoi Fronti Evropian, i kryesuar nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Kjo e fundi siguroi 19 mandate, duke u pozicionuar si forcë e dytë, ndërsa Vlen e Arben Taravarit, 13 të tilla.

“Është koha që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë”, tha Mickoski.

Kreu i BDI, Ahmeti, i cili ka kritikuar VRMO për “politika antieuropiane”, bëri thirrje për respektim të vullnetit të qytetarëve.

“Sot, shteti ynë më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, luftë kundër korrupsionit dhe fillim të negociatave për anëtarësim në BE”.

LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990. Ajo do të ketë 18 vende në Parlament, një më pak se Fronti Europian shqiptar. Kreu i partisë, Dimitar Kovaçevski, e pranoi disfatën dhe nuk e përjashtoi mundësinë që së shpejti të largohet nga udhëheqja e partisë.

Sipas analistëve, disfata e thellë e LSDMS-së lidhet me disa faktorë, si dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kriza e thellë ekonomike, por edhe “lëshimet” që ka bërë për hir të integrimit dhe ndaj partnerit të saj qeverisës, BDI-së.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos